Tiranë, 13 qershor 2014 – Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave njoftoi sot se ka gjobitur me 50.000 lekë 117 zyrtarë të nivele të ndryshme, për mosdeklarim të pasurisë. 

Në njoftimin për shtyp të këtij institucioni theksohet se “në përfundim të plotë të procesit të administrimit të deklaratave të interesave private, si dhe pas komunikimeve dhe rakoordimeve të kryera dhe me institucionet përkatëse ku këto subjekte ushtrojnë funksionet e tyre publike, u konstatuan 117 zyrtarë të niveleve të ndryshme të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private “Para Fillimit në Detyrë” dhe “Pas Largimit” për vitin 2013 dhe 2014”.

Ndërmjet 117 zyrtarë të gjobitur në shkallë vendi figurojnë edhe disa emra ish-drejtorësh në nivel vendor apo qarku në Durrës. Duke iu referuar listës së publikuar nga ILKDP, emrat e zyrtarëve durrsakë janë:

Doklead Ademi – Drejtor i ndërmarrjes Ujësjellës–Kanalizime

Enkeleda Basha – Drejtoreshë rajonale e Entit Kombëtar të Banesave, Durrës

Erjon Jakova – Drejtor i ALUIZNI-t, Durrës

Klodian Pajuni – Drejtor i përgjithshëm i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, pranë Ministrisë së Kulturës

Mariana Hamiti  – Drejtoreshë rajonale e Shërbimit Social Durrës

Inspektorati i Lartë vë në dukje në njoftim se subjekteve deklarues ndaj të cilëve u mor masa administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal.

Në çdo rast, Inspektorati i Lartë do të vijojë me ndjekjen në dinamikë të çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/