· Nga Ura Dajlanit deri te sheshi i trageteve është projektuar me dy korsi lëvizjeje mjetesh, një korsi për biçikleta me gjerësi të përgjithshme 10.5 m, me gjerësi kaluese të mjeteve 7 m
· Nga sheshi i trageteve deri te ndërtesa e BKT është projektuar me gjerësi të përgjithshme 19 m me dy korsi lëvizjeje, me parkim dhe korsi biçikletash në të dy kahet
DURRËS, 13 qershor 2014 – “Autostradë” urbane brenda qytetit nr. 2 të Shqipërisë, sapo të përfundojë procesi tenderimit, që ka filluar më 26 maj 2014, bashkia e Durrësit do të ndjekë një nga investimet më të rëndësishme me fond mbi 2,3 milionë euro nga buxheti i shtetit sikurse është rruga e re paralel me rrugën e portit, nëpër territorin, ku dikur shtriheshin shinat e stacionit hekurudhor të Durrësit.
LIDHJET
Sipas administratës, më 26 maj 2014 ishte parashikuar zhvillimi i tenderit për ndërtimin e rrugës së re paralel me murin e portit, me një fond limit 272 916 180 lekë (rreth 2 milionë euro, kursi 1 euro=139 lekë) pa TVSH nga buxheti i shtetit.
Ndonëse nuk janë bërë të ditura rezultatet e këtij prokurimi, “Dyrrah’-u mësoi se më 16 qershor 2014 do të zbardhet gjithçka.
Kjo rrugë shtrihet paralel me murin rrethues të portit dhe do të lidhë zonën e plazhit tek Ura Dajlanit me rrugën në shëtitoren “Taulantia”.
Ajo krijon komunikim me rrugën “Skënderbej” e me qendrën e qytetit dhe në anën tjetër me rreth rrotullimin në hyrje të Durrësit, ku drejtimet të çojnë në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Me ndërtimin e kësaj rruge krijohet një vijë e pandërprerë për lëvizje buzë detit nga plazhi i Durrësit, sheshit të trageteve drejt plazhit të Currilave e Kallmit (vend me mundësi turizmi në zhvillim).
Plani i jep kësaj hapësire rolin e rivendosjes së lidhjes mes pjesëve të ndryshme të qytetit.
Qëllimi i ndërtimit të kësaj rruge, thonë projektuesit, synon të lehtësojë trafikun e rënduar që krijohet në hyrjen për në qytet, në të vetmen rruge hyrëse për të gjitha mjetet që vijnë nga drejtimi i Tiranës dhe drejtimi jugor i vendit.
Mendohet përfundojë brenda 365 ditëve.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka parashikuar një fond prej 327 510 302 lekë (2 356 189 euro), ku për vitin 2014 jepen 228 257 211 lekë (1 642 138 euro)
HOLLËSI
Pjesa e parë e rrugës nga Ura Dajlanit deri te sheshi i trageteve është projektuar si rrugë me dy korsi lëvizjeje mjetesh, një korsi për biçikleta me gjerësi të përgjithshme 10.5 m, me gjerësi kaluese të mjeteve 7 m.
Pjesa e dytë e rrugës nga sheshi i trageteve deri te ndërtesa e degës së Bankës Tregtare është projektuar me gjerësi të përgjithshme 19 m me dy korsi lëvizjeje, me parkim dhe korsi biçikletash në të dy kahet.
Rruga krijon avantazhe në lëvizjen e këmbësorëve dhe biçikletave drejt plazhit të Durrësit.
Në këtë projekt janë trajtuar ujërat e bardha, gjelbërimi, ndriçimi rrugor, sinjalistikat horizontale e vertikale, kurse shtresat rrugore janë projektuar sipas standardeve evropiane
DISA NGA PRITSHMËRITË PAS ZBATIMIT TË PROJEKTIT
Shtimi i linjave të transportit publik dhe rritja e shërbimit ndaj qytetarëve; promovimi i lëvizjes së qëndrueshme nëpërmjet vendosjes së korsisë së biçikletave në projekt; integrimi i përdorimit të transporteve të ndryshme; ndërtimi i infrastrukturës elektrike me ndriçim me konsum të ulët energjie (ulje rreth 60 për qind nga llambat e përdorura gjerësisht sot në zona të tjera të qytetit); ndërtimi i infrastrukturës së gjelbër; reduktimi i kohës së lëvizjes në qytet nga jugperëndimi në verilindje të qytetit me shtimin e një rruge me standard të plotë evropian; reduktim i mbeturinave të akumuluara në zonë si pasojë e mospërdorimit të hapësirës pas shinave të trenit.
Pas mbarimit të zbatimit përparësi e këtij projekti me impakt është edhe tërheqja e investimeve të reja e zhvillimi ekonomik në zonë.
Info
Para një viti, në një takim elektoral më 14 qershor 2013, kryebashkiaku Vangjush Dako ka deklaruar:
“Bashkia e Durrësit është hasur me bllokimin total të qeverisë që e pengon në çdo çast në punën e saj.
Ne si bashki e nisëm ndërtimin e rrugës paralel me murin e portit dhe qeveria na e bllokoi pasi qeveria vetëm këtë ka bërë ka bllokuar investimet e bashkisë së Durrësit vetëm se kryebashkiaku është socialist dhe në këtë mënyrë qeveria aktuale ka penalizuar vazhdimisht qytetarët e Durrësit.
Por pas 23 qershorit [2013] kjo situatë do të ndryshojë.
Bashkia e Durrësit do të kryejë një sërë investimesh të rëndësishme ku në shtator [2013] rinisin punimet për rrugën paralel me murin e portit që do të përfundojnë për një afat kohor prej një viti”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





