Greqi, 12 qershor 2014 – Shkatërrohet një grup kriminal i trafikut të drogës në shtetin grek, pjesë e të cilit ishin edhe 21 shqiptarë. Policia greke ka vënë në pranga 6 prej tyre, ndërsa 12 janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerëve u është komunikuar masa e sigurisë “arrest me burg”. 

Operacioni eshte zhvilluar në Halkida, Livadhea, Lamia dhe Thiva.

Zbulimi i tyre është bërë në sajë të përgjimit të komunikimeve të tyre në rrjetet sociale Facebook dhe Skype. Mësohet se shqiptarët, një pjesë e te cilëve të vënë në pranga, së bashku me disa shtetas rumunë, trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë. Mësohet se ky rrjet trafikantësh ishte krijuar që prej viti 2013 dhe kishte funksionuar më së miri deri tani. 

Qëllimi i saj ishte futja e sasive të mëdha të drogës, kryesisht kanabis, kokainë, nga Shqipëria, të cilat më pas do të tregtoheshin në territorin grek, duke marrë përfitime të mëdha financiare.

Gjatë aksionit, me ndihmën edhe të dy qenve të specializuar, janë kryer kontrolle të shumta në shtëpi, dyqane dhe automjete.

Gjatë ditës së sotme policia greke ka ushtruar kontrolle në banesa, 2 biznese dhe disa automjete, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 400 gr marijuanë, 28 gramë kokainë, rreth 11 mijë euro, 13 celularë, 3 libreza bankare, një sasi e konsiderueshme thikash, si dhe një pistoletë. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/