Brazil, 12 qershor 2014 – Gati për Botërorin e Botërorëve, momenti i së vërtetës po afron dhe topi është gati të fitojë vëmendjen që deri më tani ia kanë vjedhur protestat sociale, vonesat në ndërtime, akuzat për korrupsion apo kaosi organizativ. Të gjitha janë gati të harrohen për të shijuar spektaklin e madh të lojës. Kupa e Botës 2014 është gati të fillojë dhe lojtarët, paksa të harruar deri më tani nga larmia e pabesueshme informative që vjen nga Brazili, janë gati të vihen në dukje.
Rasti i parë që lojtarët të flasin nëpërmjet futbollit është ai i kësaj mbrëmjeje, pas ceremonisë së hapjes në orën 22.00 me atë shqiptare fjalën e ka topi, në ndeshjen inauguruese të Botërorit që do të luhet në “Arena Corinthians” të Sao Paolos, Brazili kundër Kroacisë , takimi i parë i grupit A ku përveç pentacampeaos dhe ballkanasve bëjnë pjesë dhe Meksika e Kameruni.
Brazili do të luajë me skuadrën e tij gala, së cilës Felipe Scolari i ka dhënë besimin maksimal, e njëjta skuadër që fitoi Kupën e Konfederatave në finalen kundër Spanjës një vit më parë, Felipao pritet të rreshtojë skuadrën me modulin 4-2-3-1 ku natyrisht të gjithë sytë do të jenë mbi Neymar që gjithë kombi e pret të shkëlqejë si ylli i këtij Botërori. Gjithsesi Brazili ka përjetuar një vigjilje paksa të tendosur me obligimin për të ndryshuar marsh në krahasim me miqësoret e fundit, ku vecanërisht ajo ndaj Serbisë 5 ditë më parë nuk dhuroi kënaqësinë që pritej. Është folur shumë për rënien e formës së Oscar dhe Scoalri pret që i riu i Chelseat të rifitojë formën e tij më të mirë pasi nëse disheza vazhdon Willian është gati t’i zërë vendin.
Kroacia prezantohet si kundërshtari i shkëlqyer që nuk ka asgjë për të humbur dhe ka treguar një rritje të konsiderueshme në kohët e fundit me lojtarë cilësorë në gjirin e saj si Modric, Rakitic e Kovacic. Hendikapi i vetëm për ballkanasit do të jetë mungesa e Mario Mandzukic i skualifikuar, pozicioni i të cilit pritet të zihet nga Eduardo, braziliani që mbron ngjyrat e Kroacisë dhe që sot mund t’i këndojë të dyja himnet kombëtare. Pas tyre loja le të fillojë, fjalën e ka topi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





