Angli, 12 qershor 2014– Vendi që shpiku futbollin e ka fituar vetëm një herë Kupën e Botës dhe ajo daton plot 48 vite më parë. Pas shumë përpjekjesh dhe yjesh në skuadër, askush nuk e ka ringritur në majën më të lartë të podiumit. Sivjet, “stafetën” ia kanë kaluar Roj Hoxhsonit, i cili ka krijuar një skuadër të miksuar mes veteranëve dhe talenteve të rinj. Ndërkohë që shikon emra si Stiven Xherrard apo Frenk Lampard, gjithashtu vëren adoleshentë si Sterling, Luk Shou, Barklej apo Çembërlein që gjithashtu kanë një rol të rëndësishëm në ekip. Edhe filozofia e lojës së skuadrës ka ndryshuar, duke hequr disi dorë nga moduli stoik 4-4-2 dhe duke e bazuar forcën tek aksionet e rrufeshme dhe shpejtësia e individëve të caktuar. Edhe pse e nisi edicionin me modulin 4-2-3-1, loja mbresëlënëse e Liverpulit ia ndryshoi disi mendimin edhe Hoxhsonit, duke praktikuar një futboll më tërheqës dhe që ngulmon për të shënuar me kundërsulme. Edhe pse në mbrojtje mungon eksperienca e dikurshme, lojtarët janë shumë të fortë fizikisht dhe me një formë të mirë fizike, të treguar në një nga kampionatet më të rivalizuar të botës, Premier Liga. Mosha mesatare e lojtarëve është 26.6 vjeç, ndërkohë që vlera e kartonëve të tyre kap shifrën totale të 334 milionë eurove, me Uejn Runin më të shtrenjtin (45 milionë).

Kuriozitete

Anglia është kombëtarja që ka siguruar më shumë barazime pa gola në historinë e Kupës së Botës. Në 59 ndeshje të zhvilluara, dhjetë prej tyre kanë përfunduar 0-0, i fundit në fazën në grupe të Botërorit 2010, kundër Tunizisë. Peter Shilton, së bashku me Fabien Bartez, është portieri me më shumë ndeshje pa pësuar gola. Shilton e ruajti të paprekur rrjetën në dhjetë nga 17 paraqitjet e zhvilluara në Kupën e Botës, nga viti 1982 deri në 1990. Geri Lineker është i vetmi anglez që ia ka dalë mbanë të shpallet golashënuesi më i mirë në një Botëror, kur arriti të gjejë rrugën e rrjetës gjashtë herë në edicionin e vitit 1986. Ai është gjithashtu një prej 13 lojtarëve që kanë shënuar mbi 10 gola në këtë kompeticion. Më 20 mars të vitit 1966, gjatë një ekspozite të trofeut të Kupës së Botës në Angli, ai u vodh dhe policia nisi t’i humbasë shpresat, pasi nuk kishte asnjë gjurmë për gjetjen e tij. Në mënyrë surprizuese, një qen i quajtur Pikles, e gjeti trofeun të fshehur në një park. Gëf Hërst është i vetmi futbollist që ka arritur të realizojë tripletë në një finale të Botërorit dhe një prej tyre është cilësuar edhe si “goli fantazmë” më i famshëm i historisë. Për herë të parë në historinë e vet, një grup ka plot tre ekipe që kanë fituar titullin kampion bote dhe bëhet fjalë për grupin D, ku merr pjesë Anglia, Italia dhe Uruguaj.

ARRITJET

PJESËMARRJET NË BOTËRORË
13 (1950-1970, 1982-1990,
1998-2010)

POZICIONIMET MË TË MIRA
Kampione Bote (1966)
Vendi i katërt (1990)

BILANCI
59 ndeshje, 26 fitore, 19 barazime, 14 humbje
77 gola të shënuar, 52 gola të pësuar

SHËNUESIT MË TË MIRË NË KUPËN E BOTËS
Lineker (10 gola), Hurst (5 gola), Ouen e Çarlton (4), Bekham (3)

LOJTARËT ME MË SHUMË PREZENCA NË KUPËN E BOTËS
Shilton (17 ndeshje), E.Kol, Bobi Çarlton, Mur dhe Batçer (14)

TRAJNERËT ME MË SHUMË PREZENCA NË KUPËN E BOTËS
Uinterboton (14 ndeshje), Robson (12 ndeshje), Erikson dhe Ramsej (10 ndeshje)

SI ËSHTË KUALIFIKUAR SIVJET
U kualifikua si e para e grupit, duke fituar gjashtë ndeshje dhe barazuar katër të tjerat.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/