Durrës, 11 qershor 2014 – Një difekt teknik në një nga silloset ku po shkarkohej nitrat nga një anije turke, e ankoruar në kalatën nr.4 të portit të Durrësit i ka marrë jetën 50 vjeçarit Fatmir Idrizi. Gjatë procesit të shkarkimit të sasisë prej 3219 ton nitrat në një nga silloset, në administrim të Autoritetit Portual Durrës është bllokuar mekanizmi i shkarkimit.

Në këtë moment, punëtori Idrizi është ngjitur sipër në sillos për të bërë të mundur zhbllokimin e mekanizmit dhe rinisjen e punës. Ndërhyrja e tij për të rregulluar difektin i ka kushtuar jetën. Ai është thithur nga mekanizmi i shkarkimit dhe është mbuluar brenda në sillos nga një sasi e madhe nitrati.

Megjithëse arriti të nxirrej i gjallë pas disa minutash nga shokët e tij të punës. 50 vjeçari Fatmir Idrizi humbi jetën gjatë transportimit me urgjencë për në spital.

Pritet që prokuroria e Durrësit të nisë hetimet për këtë ngjarje tragjike, pasi mund të bëhet fjalë për shkelje të rregullave të sigurisë teknike në punë.

Aksidenti tragjik në punë u regjistruar mesditën e së mërkurës në kalatën nr.4 të portit të Durrësit. Në atë kohë, po shkarkohej anija turke "Haci Mehmet Kaptan", e cila ishte e ngarkuar me 3219 ton nitrat. Sipas të dhënave zyrtare në faqen e Autoritetit Portual Durrës, anija në fjalë është ankoruar paraditen e së mërkurës, rreth orës 10.55 në portin e Durrësit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/