Tiranë, 11 qershor 2014 – Kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë është kthyer në një zonë lufte të padeklaruar.
Kështu shkruan portali grek Newsit, referuar të dhënave nga policia.
Ata kanë publikuar pamje të kamerave termike të policisë, që tregojnë se tanimë trafiku po bëhet edhe në këmbë.
Sipas këtij portali, lazaratasit kanë ngritur një kartel droge dhe po vazhdojnë që të prodhojnë hashash, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të qeverisë për të ndaluar kultivimin e drogës.
Një zyrtar i policisë tha se në vitin 2014 është kapur rreth 40 përrqind më shumë drogë krahasuar me një vit më parë.
“Në përpjekje për të shpëtuar nga policia, droga transportohet në shpinë, në mushka dhe gomerë. Është interesant se çmimi për një mushkë është pesëfishuar, duke shkuar në 1 mijë euro,” shkruan portali.
Trafikantët shqiptarë janë të armatosur me kallashnikovë, ndërkohë që sa kalojnë kufirin, i presin ‘homologët’ grekë.
Karteli i Lazaratit po rekruton gjithmonë e më shumë njerëz, sidomos të rinj të papunë.
“Qëllimi i tyre, sipas burimeve shqiptare, është që të angazhojnë -nëpërmjet inkriminimit – sa më shumë persona, që në vazhdim t’i shfrytëzojnë ata për për qëllime të ndryshme, madje edhe në fushatat zgjedhore,” thuhet në shkrim.
Sipas portalit, Lazarati e nisi që në vitin 1991, kur shiste cigare kontrabandë, vazhdoi me embargon ndaj Serbisë, duke shitur ushqime dhe naftë dhe tani kanë nisur mbjelljen e hashashit.
/gazeta "Tema"/








