DURRËS, 11 qershor 2014 –  Intensifikohet puna në portin kryesor të vendit, ku brenda dy ditëve parashikohen të ngarkohen 3 anije me mallra për eksport (çimento, krom, prokate) dhe të shkarkohen 7 anije me mallra importi (nitrat, grurë, qymyr, çimento, kontejnerë).

Sipas raportit ditor të dispeçerisë së Autoritetit Portual Durrës (APD) sha, këto ditë pritet një vërshim anijesh me mbi 49 mijë tonë mallra import-eksporti dhe mbi 500 kontejnerë.

Kështu në radë ndodhet anija  Majed and Randy  që do të ngarkojë 6 100 tonë çimento me paleta në kalatën nr. 2; priten anijet  Sider Lipari  që do të ngarkojë 7 200 tonë prokate Elbasani dhe Pine 6 për 15 mijë tonë krom.

Gjithsej nga porti i Durrësit do të nisen për eksport 28 300 tonë.

Ndërkaq në terminalin turk të specializuar, në kalatën 6, po shkarkohet anija liner  MSC Jilhan  me 502 copë kontejnerë.

Në kalatën 4 po shkarkohet anija  Haci Mehmet Kaptan  me 3 200 tonë nitrat.

Bie në sy se janë tri anije me grurë importi:  Sormovskiy 48  (me 3150 tonë);  Amur 2515  (me 2903 tonë) dhe  Navaho  (me 5008 tonë); gjithsej 11 061 tonë.

Ndërkaq, edhe pse eksportojmë çimento, pritet anija  Leftallah III  me 5 021 çimento me paleta; kurse anija  Stardale  do të sjellë 1 700 tonë qymyr.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/