Durrës, 11 qershor 2014 – Personaliteti durrsak, Shpëtim Myshketa, është nderuar me titullin “Fisnikëria e qytetit”, pas vdekjes. Titulli i është dorëzuar gruas së tij, nga kryebashkiaku Vangjush Dako.
Për shumë breza me rradhë, Shpëtim Myshketa kujtohet si profesori i nderuar, intelektuali me vlera të rralla, shkrimtari, përkthyesi dhe publicisti. Myshketa përveçse profesor ka kryer edhe detyra të rëndësishme shtetërore si kryetar i këshillit të parë pluralist të Durrësit, kryetar i Këshillit Kombëtar të Zhvillimit të Strategjive të Arsimit Shqiptar, drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore Durrës etj.
Nderimi i kësaj figure të njohur për durrsakët u bë gjatë edicionit të rradhës së “Festë deti”, aktivitetit kulturor që prej vitesh është kthyer në traditë në qytetin bregdetar. Krahas Myshketës, bashkia e Durrësit dhe shoqata “Durrësi” nderuan me titullin “Nderi i Qytetit” konsullin e nderit të Bosnjës në Shqipëri, Fiqiri Kllari si dhe biznesmenin e njohur, Pëllumb Alimadhi.
Kryebashkiaku Vangjush Dako, gjatë dorëzimit të çmimeve deklaroi se “qyteti i Durrësit do t’i nderojë gjithmonë njerëzit e punës që kontribuojnë për qytetin bregdetar”.
Fiqiri Kllari është konsull nderi i Bosnjës në Shqipëri, kryeplak i fshatit Borakë si dhe president i shoqatës Zambak, e cila është Shoqata Kombëtare e Boshnjakëve të Shqipërisë, ndërsa si biznesmen ai është president i kompanisë Gllavica.
Pëllumb Alimadhi është një biznesmen i njohur jo vetëm në Durrës, por edhe në shkallë kombëtare. Ai drejton kompaninë Gig sh.p.k dhe ka në pronësi edhe qendrën e njohur tregtare Casa Italia. Kompania e Alimadhit ka të punësuar aktualisht rreth 450 punonjës.
Festa e Detit është zhvilluar në sallën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”. Të pranishmit në sallë, pas ndarjes së çmimeve patën mundësi të ndjekin një program të pasur artistik.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/











