Tiranë, 11 qershor 2014 – Studentja 23-vjeçare e Fakultetit Ekonomik, Iris Belba, i dha fund jetës një ditë më parë duke u hedhur nga kati i fundit i një prej ndërtesave më të larta në Tiranë, në zonën e ish-Bllokut. Ajo ndiqte studimet e vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik, njëkohësisht vazhdonte edhe Juridikun. Ajo është ngjitur dje rreth orës 14.00 në katin e fundit të ndërtesës 17-katëshe, ka dalë menjëherë në verandë, ku ndodhet bari që funksionon vetëm gjatë mbrëmjeve, dhe menjëherë është hedhur, duke kapërcyer edhe rrjetën mbrojtëse të tarracës.
Fillimisht u dyshua se ajo ka shkuar për të pirë kafe në lokalin që ndodhet në katin e fundit të kullës, e shoqëruar nga miqtë e saj dhe në gjaknxehtësi e sipër ishte hedhur nga lartësia. Dëshmitë e personelit e hodhën poshtë këtë variant, duke përforcuar dyshimet e një vetëvrasje të planifikuar më parë nga 23-vjeçarja, e cila madje kishte zgjedhur një vend të tillë që vdekja të ishte e sigurt.
Dyshimet kryesore janë se vetëvrasja ka ndodhur për shkak të një provimi të përsëritur në Matematikë. Iris Belba ka qenë e vetme në momentin kur është futur në kullën “Sky Tower”. Në hollin e katit të parë të ndërtesës ajo është parë nga personeli, të cilëve u ka rënë në sy pasi dukej si e përhumbur dhe nxitonte. Më pas është futur në ashensor njëkohësisht me tri gra të tjera, pjesë e personelit të lokaleve dhe hotelit të ndërtesës. Atyre u ka rënë në sy pamja e vajzës, që sipas tyre dukej e trishtuar dhe qëndronte vazhdimisht duke parë jashtë xhamit të ashensorit.
Sapo është hapur dera, ajo ka dalë me nxitim dhe menjëherë është drejtuar për te tarraca, ku prej disa ditësh është hapur një bar veror, që fillon punën vetëm në mbrëmje. Aty nuk ndodhej askush në atë moment, ndërsa Belba menjëherë ka lënë çantën në tavolinë dhe ka hipur në një prej stolave ngjitur me rrjetën rrethuese, ku është zgjatur duke vendosur këmbën te mbështetësja e stolit. Nga aty është hedhur dhe është përplasur fillimisht me një prej shtyllave të ndriçimit, e në fund ka përfunduar në trotuar pa shenja jete.
Dekani i Fakultetit Ekonomik, Sulo Hadëri, tregoi dje se prej një viti kancelari i fakultetit, por edhe ai vetë, ishin angazhuar për t’i qëndruar afër studentes Iris Belba, pasi ishin në dijeni të problemeve që ajo kishte.Në një deklaratë për gazetën “Panorama”, dekani i Ekonomikut, Hadëri, tregon se nuk është në dijeni nëse studentja kishte ngelur apo jo në ndonjë provim. Megjithatë, dekani shprehet se kjo është një ngjarje shumë e rëndë, për më tepër që vajza ishte një prej studenteve më të mira. Sipas tij, vajza ka pasur probleme depresive, që i vinin edhe nga ngarkesa, stresi dhe gjendja delikate emocionale.
Ndërkohë gazeta “Mapo”, që ka biseduar me një nga shoqet e 23 vjeçares Belba deklaron se Irisi ishte një vajzë dhe studente shumë e mirë. Ajo pranon se shoqja e saj vuante pak nga gjendja depresive, aq sa dhe e ëma e vajzës u kishte rekomanduar shoqeve të saj që t’i qëndronin afër dhe ta kishin kujdes. Mesa duket familja i trembej ndonjë përkeqësimi të mëtejshëm të gjendjes shpirtërore të vajzës së tyre.
Policia ka shoqëruar mbi 20 persona, të gjithë njohje të viktimës si dhe punonjës të bareve në godinën nga ku u hodh vajza. Deri orëve të vona, Policia e Tiranës nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me ngjarjen e rëndë, por është bërë me dije se nga rrëfimet e para të personave që kanë patur njohje me viktimën, ajo vuante nga depresioni prej disa muajsh.
E përditshmja “Shekulli” ka marrë dëshminë e një prej dëshmitarëve të aksidentit që i mori jetën Iris Belbës. Një kamarier i njërit prej lokaleve aty pranë, tregon i traumatizuar, ndërsa trupi i pajetë vijonte të ishte i shtrirë në trotuar, se ka parë me sy çastin kur e ndjera është përplasur me tokën. “Shkaktoi një zhurmë shumë të fortë dhe fillimisht ra mbi shtyllë e më pas në fraksion sekonde u gjend në tokë. Është një traumë shumë e madhe. Kjo është një fatkeqësi, por në çastin kur vajza u hodh, fatmirësisht nuk kishte asnjë kalimtar, i cili mund të përfundonte i vdekur. Nga trupi i vajzës nuk ka dalë gjak, por pas rënies këmba e djathtë, te pjesa e gjurit ka pësuar një thyerje. Vajza ishte e veshur me një palë pantallona të shkurtra ngjyrë të çelët dhe një bluzë të bardhë me vija. Fillimisht kanë qenë gazetarët ata që kanë mbërritur të parët, dhe më pas kanë mbërritur efektivët e Policisë dhe Ambulanca. Në vendin e ngjarjes kam parë që kanë ardhur më vonë edhe njerëz që e njihnin vajzën dhe që thanë se ishte një nga shoqet e saj të ngushta”, – tregon për “Shekullin” dëshmitari.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





