Tiranë, 11 qershor 2014 – Enver Hoxha ishte homoseksual, ose të paktën biseksual”. Kështu lexohet në një nga informacionet që CIA (Shërbimi Inteligjent Amerikan) ka administruar për diktatorin komunist shqiptar. Dokumenti i mëposhtëm, i deklasifikuar kohët e fundit, që i përket Shërbimit Inteligjent Amerikan, është hartuar më 28 dhjetor të vitit 1951, shkruan sot “Panorama”. Informacioni i administruar nga CIA në këtë rast është i rëndë. Karakteri i Enver Hoxhës ndërtohet me të dhëna, që në kohën e komunizmit do të konsideroheshin shokuese.Janë të dhëna që jo vetëm e konvertojnë atë në një homoseksual, por e vendosin në cilësinë e një prostitute, që me këtë lloj profesioni nxirrte të holla për të ushqyer një jetë luksi. Të gjitha të dhënat kanë lidhje me veprimtarinë jetësore të Enver Hoxhës para okupacionit italian të Shqipërisë, apo thënë ndryshe kanë lidhje me rininë e tij, që përkon edhe me një kohë apo aktivitet vështirësisht të njohur nga të tjerët.
Sipas përmbajtjes, Shërbimi Inteligjent Amerikan i ka marrë të dhënat në Greqi nga një mjek shqiptar i emigruar, për të cilin thuhet se e ka njohur Enver Hoxhën nga afër. I njëjti informues i CIA-s në një rast rrëfen se si në vitin 1943 ka qenë pranë Enver Hoxhës në një bazë. Nëse këto janë të vërteta, atëherë historianët dhe hulumtuesit edhe mund ta identifikojnë këtë personazh, duke vënë njëkohësisht në peshore edhe vërtetësinë dhe saktësinë e thënieve të tij. Pra, nëse informuesi identifikohet, atëherë nisur nga personaliteti dhe e shkuara e tij mund të shkohet në një konkluzion më të qartë për të dhënat që ai i ka kaluar CIA-s, nëse këto të dhëna kanë lidhje me hakmarrje personale nëse kanë lidhje me shërbim përtej bindjes, apo janë dhënë sepse kështu thotë e vërteta.
Dokumenti mbi karakterin moral të Enver Hoxhës
Sipas një dokumenti që mundohet të hedhë dritë mbi karakterin moral të Enver Hoxhës, një informator i CIA-s në Greqi, që e njeh Enverin personalisht ka nxjerrë faktin se bosi komunist i Shqipërisë është homoseksual, ose të paktën një biseksual. Burimi ëhstë një mjek me reputacion të respektuar, që ka lindur në Shqipëri duke e kaluar gjithë jetën atje, derisa në vitin 1944 ia mbathi në Greqi për shkak të komunistëve.
Mjeku thotë se në rininë e tij, Hoxha ishte shumë simpatik dhe e mësoi shumë shpejt se bukuria e tij kishte një vlerë të konsiderueshme në sytë e bejlerëve të Gjirokastrës, mes të cilëve homoseksualiteti ishte i shfrenuar. Hoxha, atëherë një burrë i pashëm, i dhënë pas qejfeve të shtrenjta, i financonte dëshirat e tij duke e punësuar veten si një prostitutë mashkull te bejlerë dhe homoseksualë të tjerë nga zona e Elbasanit. Informuesi njeh një rast kur Hoxha ka mbuluar humbjet e tij në kumar, me të holla të marra duke bërë shoqëri me homoseksualë të pasur nga Korça.
Mjeku thotë se Enver Hoxha është një frikacak psikik i regjur, pavarësisht reputacionit të tij sintetik si krijues i rezistencës shqiptare.
Ndërkohë në dëshminë e tij, Aleko Bimli, një qytetar nga Korça, që dikur e kishte njohur Enverin ka pohuar se partneri seksual i Enverit ishte tregtari H.Samarxhiu. këtë fakt Bimli thotë se e ka mësuar në Greqi.
Dokumenti i CIA-s për biografinë e Hoxhës
Enver Hoxha ka pasur një rini plot aventura. Ky fakt vërtetohet nga një tjetër dokument i CIA-s në formën e një biografie telegrafike për veprimtarinë e liderit komunist shqiptar. Dokumenti përmbledh të dhëna të periudhës që nga lindja e Enver Hoxhës, deri në vitin 1952.
Më interesantet duket se janë të dhënat për dekorimin në vitin 1945 me yllin e partizanit jugosllav, përmbledhja e funksioneve të një të zgjedhuri apo figure të nderuar të Shoqatës Kulturore Jugosllavo-Shqiptare më 1945, President nderi i Shoqërisë Kulturore Ruso-Shqiptare më 1946 etj.
Në fund të informacionut shkruhet: (…) tha se kur ishte sekretar i Ambasadës shqiptare në Bruksel, bënte një jetë aventurore duke e prezantuar veten si pasardhës i një familjeje princërore”.
Sigurisht që ka shumë të ngjarë që familja princërore, së cilës Enver Hoxha mashtronte duke thënë se i përkiste si pasardhës, duhet të ketë qenë familja e Ahmet Zogut.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





