Tiranë, 11 qershor 2014 – Dy këngëtarët grekë Panajotis Markopoulos dhe Anastasia Bojaxhi, të arrestuar dy ditë më parë nga policia e Kavavijës, pasi në automjetin e tyre u gjetën 63 kg kanabis kanë deklaruar para trupit gjykues të Gjykatës së Krimeve të Rënda se janë futur në kurth nga shqiptarët.

Ata kanë mohuar të kenë pasur dijeni për sasinë e drogës që ndodhej në makinën e tyre, tip OPEL, me targa IPP 3885. Dy këngëtarët ndodheshin prej dy ditësh në Sarandë, ku ishin prenotuar për të kënduar në një diskotekë gjatë fundjavës. Gjatë kthimit të tyre për në Greqi, qeni antidrogë që ka nuhatur në makinë praninë e hashashit dhe pas një kontrolli të imtësishëm ka rezultuar se në shasinë e makinës dhe prapakolpin e saj, janë gjetur plot 63 kilogram lëndë narkotike.

Sipas burimeve të prokurorisë kjo sasi droge mund të jetë pagesa që biznesmenët shqiptare i kanë bërë dy grekëve, për të kënduar në diskotekën e tyre në Sarandë. Ky dyshim i hetuesve bazohet në faktin se këngëtarëve grekë nuk u janë gjetur me vete sasia e eurove që ata pretendojnë se janë paguar nga shqiptarët.

Nga ana tjetër, dy këngëtarët kanë pohuar se kanë rënë në kurthin e shqiptarëve, pasi makina e tyre ishte lënë gjatë natës dhe ditës në parkingun e një hoteli dhe se aty ia kanë dhënë çelësat një punëtori lavazhi, ku kanë porositur larjen e makinës. Dy grekët në dëshminë e tyre se pikërisht në këtë moment mund të jetë futur sasia e drogës brenda në makinë. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, prokuroria ka këmbëngulur se dy grekët kanë lidhje direkte me këtë trafik dhe për këtë arsye gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/