Tiranë, 11 qershor 2014 – Shkelet protokolli i shtetit. Presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit ndodhen të tre jashtë vendit, gjë që është e ndaluar nga ceremoniali zyrtar për autoritetet e larta të shtetit, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Francë ku do të takohet sot me Presidentin Fransua Hollande, për të lobuar në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Presidenti u nis të hënën për në Katar, ndërsa kreu i Kuvendit, Ilir Meta ndodhet prej të dielës në Kuvajt.
Por krahas mungesës së tre krerëve të shtetit, në Shqipëri nuk ndodhen as 4 ministra, të cilët janë duke zhvilluar takime në vende të ndryshme të Europës me homologët e tyre.
Kështu Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ndodhej në Londër për të lobuar për çështjen e statusit, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri gjithashtu është në një vizitë në Itali, ndërsa Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ndodhet në Gjeorgji. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati shoqëron kryeministrin Rama në Francë, në takimet e nivelit të lartë që do të zhvillohen në Paris.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





