DURRËS, 11 qershor 2014 – Kam shifrat edhe specifike të Spitalit të Durrësit, jemi jashtëzakonisht keq me standardet dhe kriteret e edukimit të vazhdueshëm dhe po të jemi rigorozë në ato standarde, në 1 janar 2015, 40 për qind e mjekëve nuk duhet të lejohen të punojnë, deklaratën e bujshme e bëri ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj më 10 qershor 2014 në një ceremoni festive në spitalin rajonal të qytetit bregdetar.
Sikurse është bërë e ditur, Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj vizitoi më 10 qershor 2014 Spitalin Rajonal të Durrësit me rastin e përurimit të laboratorit të ri anatomo-patologjik.
Por z. Beqaj nuk ishte shumë “festiv” teksa deklaroi:
“Unë i kam shifrat edhe specifike të Spitalit të Durrësit, nuk është momenti sot për t’i ndarë me ju dhe publikun, por përgjithësisht, në të gjithë shëndetësinë tonë, jemi jashtëzakonisht keq me standardet dhe kriteret e edukimit të vazhdueshëm. Nëse vazhdon kjo tendencë e 3-4 viteve, po të jemi rigorozë në ato standarde, të cilat nuk janë shumë agresive, në 1 janar 2015, 40% e mjekëve nuk duhet të lejohen të punojnë.
Sigurisht që, dikush mund të thotë, po spitalet s’do mbyllen, por prapë kjo nuk është mënyrë zgjidhje e problemit. Në fillim të korrikut ne do të bëjmë publike masat konkrete që kemi vendosur se si do ta përballojmë këtë situatë. Është në të gjithë vendin dhe ndihet më shumë tek ata mjekë që mendojnë se janë të vetëm në spitalet e tyre, mendojnë se ministria, qeveria, qendra e akreditimit, s’kanë zgjidhje tjetër, por do të detyrohen të punojnë me ata, se s’kanë çfarë bëjnë”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





