Durrës, 10 qershor 2014 – Një 49 vjeçar italian, që prej pak kohësh jeton në qytetin e Durrësit, ku ka marrë edhe një shtëpi me qira është plaçkitur nga hajdutët.

Mësohet se shtetasi italian ka deklaruar në policinë e qytetit bregdetar se kur është kthyer në shtëpi, ditën e dielë, ka konstatuar se dera e apartamentit ishte hapur me çelës dhe atij i ishin vjedhur disa sende personale, si tre telefona celularë, një Ipad, një laptop dhe një orë dore.

Fakti që dera e banesës së italianit nuk është thyer, por është hapur me çelës e ka shtyrë grupin hetimor të mendojë se pas kësaj vjedhjeje mund të qëndrojnë persona që disponojnë kopje çelësash të apartamentit të grabitur.

Gjithsesi hetimet janë në fazat e para dhe policia nuk ka bërë të mundur ende identifikimin e autorit apo autorëve.

Ndërkohë, një ditë më parë, një 53 vjeçar nga Fllaka dhe një 77 vjeçare nga Shkallnuri kanë denoncuar në polici vjedhjen e bagëtive dhe shpendëve që kishin në shtëpi.

53 vjeçarit M.Gj. i janë vjedhur një lopë dhe një viç, ndërsa të moshuarës një lopë dhe disa shpendë.

Për të dyja këto vjedhje, policia po heton për të identifikuar dhe kapur autorët.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/