Tiranë, 10 qershor 2014– Gjatë ditës së sotme është nënshkruar për herë të parë, Funksionimi i Sektorit të Krimit Kibernetik. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka firmosur urdhrin për ngritjen e strukturave të posaçme për funksionimin e këtij sektori pranë 8 prokurorive të rretheve, përfshirë këtu edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilat do të ndjekin këto lloj krimesh.

Në bazë të këtyre urdhrave, do të funksionojë për herë të parë njësia e veçantë për veprat penale të krimeve kompjuterike, si edhe të tjera që lidhen me to.

Ky lloj hetimi do të realizohet  fillimisht, edhe në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore të Tiranës, të Durrësit, të Elbasanit, të Vlorës, të Fierit, të Korçës, të Shkodrës.

Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me Misionin PAMECA, organizuan ditën e sotme një seminar trajnimi me ekspertë shqiptarë dhe italianë në kuadër të krijimit të strukturave të specializuara, për të diskutuar mbi fenomenin e krimit kompjuterik dhe tendencat e tij.

Koncepti i krimit kompjuterik që është përpunuar nga prokuroria shqiptare bazohet në Konventën e Budapestit, sipas të cilës në këto vepra penale përfshihen jo vetëm veprimet me kompjutera, por edhe ato  që lidhen me ndërhyrjen në të dhëna, përfshirë ato personale në rrjetet sociale, si edhe në rrjetet e gjera teknologjike, bankare, etj.

Veprat penale që do të jenë objekt i këtij sektori, janë:

a) Neni 74/a i Kodit Penal “Shpërndarja kompjuterike e materialeve pro gjenocidit ose krimeve kundër njerëzimit”

b) Neni 84/a i Kodit Penal “Kanosja me motive raczimi dhe ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik”

c) Neni 119/a i Kodit Penal “Shpërndarja e materialeve raciste ose ksenofobike nëpërmjet sistemit kompjuterik”

d) Neni 119/b i Kodit Penal “Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik”

e) Neni 143/b i Kodit Penal “Mashtrimi kompjuterik”

f) Neni 186/a i Kodit Penal “Falsifikimi kompjuterik”

g) Neni 192/b  i Kodit Penal “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”

h) Neni 293/a i Kodit Penal “Përgjimi i paligjshëm i t? dh?nave kompjuterike”

i) Neni 293/b i Kodit Penal “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”

j) Neni 293/c i Kodit Penal “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”

k) Neni 293/ç i Kodit Penal “Keqpërdorimi i pajisjeve”

Në objektin e veprimtarisë së këtij sektori do te jenë edhe veprat penale të mëposhtme kur ato kryhen nëpërmjet sistemeve kompjuterike:

a) Neni 108, paragrafi i katërt i Kodit Penal “Vepra të turpshme”

b) Neni 117 i Kodit Penal “Pornografia”

c) Neni 147 i Kodit Penal “Mashtrimi me veprat e artit e të kulturës”

d) Neni 148 i Kodit Penal  “Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet”

e) Neni 149 i Kodit Penal “Riprodhimi pa të drejtë  i veprës së tjetrit”

f) Neni 149/a i Kodit Penal “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”

g) Neni 149/b i Kodit Penal “Shkelja e të drejtave të topografisë së qarkut të gjysmëpërçuesit”

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/