Durrës, 9 qershor 2014 – Ujësjellësi i Durrësit ka ndërhyrë për prerjen e lidhjeve të paligjshme në lagjen nr.1 të qytetit, në një zonë problematike. Në bashkëpunim me inspektoriatin e kësaj ndërmarrje si dhe me policinë e rendit, specialistët e kësaj ndërmarrjeje kanë konstatuar tre lidhje të paligjshme pranë një subjekti privat.

Aksioni i ndërmarrjes së Ujësjellësit është përqendruar sot në ndërtesën që dikur ka funksionuar si fabrika e Duhan-Cigareve e ku po ngrihet një universitet ne pronesi te deputetit demokrat Astrit Veliaj.

 

Inxhinieri i kësaj ndërmarrje, Nikolla Simaku, u shpreh se subjekti Albanian College Durrës nuk ka bërë asnjë kërkesë tek Ndërmarrja e Ujësjellësit për të lidhur ujin e pijshëm, por ka ndërhyrë në rrjet duke realizuar tre lidhje të paligjshme. Subjekti në fjalë, sipas ligjit, është gjobitur me 50 mijë lek”.

Prej më shumë se një muaji inspektoriati i ujësjellësit, në bashkëpunim me degën teknike dhe atë të shitjes, kanë kryer kontrolle dhe prerjen e lidhjeve të paligjshme në disa zona të qytetit, siç është zona e Shkozetit, Plazhit dhe ajo e Shkëmbit të Kavajës.

Deri tani nga ndërhyrjet dhe aksionet që ka realizuar ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime në Durrës janë prerë më shumë se 300 lidhje të paligjshme në zonat e mësipërme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/