Tiranë, 9 qershor 2014 – Lideri i opozitës, Lulzim Basha thekson se testi i qeverisë aktuale lidhur me procesin e integrimit evropian të vendit nuk është statusi kandidat, por hapja e negociatave për anëtarësim në BE. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Basha theksoi se qeveria aktuale gjeti gjithçka gati, pasi kriteret për marrjen e statusit i përmbushën demokratët.
“Kemi vazhduar pa ndërprerje lobimin për marrjen e statusit kandidat, në bindjen tonë se shqiptarët e meritojnë statusin, për çfarë ka bërë dhe arritur ndër vite dhe që nuk qëndron aspak më poshtë nga vendet që e kanë marrë statusin. Kemi bindjen se axhenda e brendshme demokratike është vendimtare për hapjen e negociatave. Apelojmë për përshpejtim në këtë drejtim. Qeverisë së majtë nuk i mbeti vetëm ta merrte statusin, tani është detyrë e dyshes Rama-Meta të përmbushë kriteret për hapjen e negociatave, ky është testi i saj”- u shpreh Basha.
“Me opozitarizmin tonë të fortë e të palëkundur, me betejat tona të njohura politike dhe ligjore, ne kemi dhënë një provë tjetër vendimtare pse Shqipëria e meriton statusin, sepse ka një opozitë që nuk fle dhe nuk u bën fresk shkeljeve”- vijoi më tej Basha.
Duke folur për vizitën e tij në Gjermani, Basha nënvizoi se “PD është e inkurajuar, e frymëzuar dhe shumë e interesuar për intensifikimin e bashkëpunimit me kristian/demokratët gjermanë, sot si opozitë dhe nesër si shumicë”.
“Pohoj me gëzim se PD e Shqipërisë ka në Gjermani një aleancë shumë të vyer, të qendrës së djathë gjermane, prej shumë vitesh në pushtet, lokomotive e zhvillimit. Nga kjo vizitë tepër mbresëlënëse, unë vij me njohjen me nota shumë pozitive të kontributeve që ka dhënë qeveria demokratike të kalimit demokratik dhe civil të pushteti, të projektit tonë të nisjes së re ringritjes dhe rikthimit, përmes ribashkimit, hapjes e përtëritjes së PD-së, nëpërmjet alternativës tonë për Shqipërinë”- deklaroi Basha.
Ndërsa shprehu vlerësim për zgjedhjet në Kosovë, Basha përgëzoi PDK-në, kryeministrin Thaçi dhe të gjitha partitë politike për rezultatin e arritur në këto zgjedhje.
Basha tha ndër të tjera se në vend është përkeqësuar rendi publik.
“Po mbushen 300 ditët për vendosjen e rendit publik. Ku janë sot, çfarë kanë arritur sot me reprezaljet e tyre kur statistikat flasin për përkeqësim të rendit publik”.
Sipas tij kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri do hynë në histori vetëm se i kanë hapur rrugë gjobave dhe krimit në policinë e shtetit.
“Kanë shkëlqyer me gjobat korruptive i kanë hapur rrugë krimit në policinë e shtetit. Rama e Tahiri e kanë prenotuar bindshëm një vend në histori, të gjobave dhe krimit në polici. Me Ramën në krye krimi i ka shpallur luftë shtetit, vlerave demokracisë e zgjedhjeve”, shtoi Basha, ndërsa tha se opozita është këtu pikërisht për t’i shpallur luftë këtyre fenomeneve.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





