Deti, më i bukur se fytyrat e krerëve të partive në Prishtinë!

DURRËS, 9 qershor 2014 –  Në pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet parlamentare të 9 qershor 2014 në Kosovë, mund të ketë ndikuar dhe plazhi i Durrësit, në Prishtinë dëgjohen zëra shfajësues për indiferencën e qytetarëve, sidomos të të rinjve.

Sikurse është bërë e ditur, vetëm 43,49 për qind e 1.8 milionë qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote, kanë shkuar në vendvotime (sikurse i quajnë atje qendrat e votimit).

Analistë pranë subjekteve zgjedhore që janë të pakënaqur me rezultatet, ku asnjë forcë politike nuk mund të krijojë e vetme qeverinë, “fajësojnë” dhe vapën e menjëhershme të 6-8 qershorit 2014, që detyruan shumë familje kosovare, por edhe shumë të rinj, kryesisht studentë dhe nxënës, të niseshin qysh të premten pasdite në drejtim të bregdetit Adriatik (kryesisht në Durrës, por edhe në Golem, Velipojë, Ulqin) dhe liqenit të Pogradecit.

Madje, disa prej tyre kanë bashkëbiseduar dhe me Ministren shqiptare të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantinë Gjermeni, që shkoi të shtunën, më 7 qershor 2014, në Durrës, për inspektimin e plazhit.

Natyrisht, pushues të moshës së mesme kanë nxituar të dielën pasdite të mbërrijnë në Kosovë për të hedhur votën, por të rinjtë nuk e kanë prishur terezinë, thjesht për zhgënjimin nga politika.

Për ta deti është më i bukur se fytyrat e krerëve të partive në Prishtinë.

Ndonjë është shprehur para medieve shqiptare: “Kemi ardhur se kishim kohë të lirë, se jemi student dhe kishim kohën tonë. Na vjen keq që s’mundemi të votojmë sot po kjo ishte zgjidhja jonë. Njerëzit janë lodhur çdo katër vjet nga politika e njëjtë, vjedhja e votave, njerëzit përtojnë të marrin  pjesë”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/