Katar, 9 qershor 2014 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka pershendetur Forumin “Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Bota Islame”, që po zhvillohet në Doha nga data 9-11 qershor.
Në fjalen e tij Nishani theksoi se shqiptarët jane krenarë, për faktin se jetojnë në një shoqëri shumëfetare me shumicë myslimane, ku anëtarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë për shekuj në paqe dhe harmoni të plotë.
“Besimet fetare myslimane, ortodokse dhe katolike, të cilat bashkëjetojnë në harmoni, janë shndërruar për ne në një vlerë të çmuar identifikuese dhe një shembull, nga i cili mund të mësojnë edhe kombe të tjera të zhvilluara. Në rastin e Shqipërisë, të tre besimet janë të lidhura me kombin, me vetë ekzistencën e tij”,- tha Nishani.
Sipas tij, modeli shqiptar i tolerancës, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare është, gjithashtu, një kolonë solide në ndërtesën e shtetit shqiptar.
“Drejtuesit më të lartë dhe të të gjitha niveleve në institucionet dhe administratën shqiptare tradicionalisht kanë ardhur, pa paragjykim, nga të gjitha besimet, duke ruajtur me kujdes dhe urtësi ekuilibrat e shoqërisë sonë. Shqiptarët nuk ranë në grackën e “ngjyrimeve fetare” të tragjedisë fundit, gjatë viteve 1990 në Ballkan”,- tha me tej presidenti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





