Tiranë, 9 qershor 2014 – Instituti i Statistikave publikoi të dhënat për inflacionin gjatë muajit maj. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 1.6 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.1 %.
Krahasuar me muajin maj 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 8,0 %, pasuar nga grupi “pije alkoolike dhe duhan” me 6,6 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 2,7 %, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,1 %, etj. Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin “shëndeti” me 5,3 % pasuar nga grupi “veshje dhe këpucë” me 2,8 %, “Komunikimi” me 1,2 %, etj.
Rritja vjetore në muajin maj është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,82 pikë përqindje. Në këtë grup çmimet e nëngrupit “fruta” janë rritur me 16,7 % dhe nëngrupit “zarzavate” me 10,2 %.
Çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 5,4 %, pasuar nga nëngrupi “sheqer e ëmbëlsira” me 4,1 %, “kafe, çaj e kakao” me 2,3 %, “peshk” me 1,3 %, etj. Rritja e çmimeve të grupit “pije alkoolike dhe duhan” ka kontribuar me 0,24 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 11,5 %. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me 0,39 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “shëndeti” kanë kontribuar me -0,18 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Grupi “veshje dhe këpucë” ka kontribuar me -0,14 pikë përqindje. Në muajin maj 2014 ndryshimi mujor i indeksit është -1,1 %. Ulja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike me -0,89 pikë përqindje.
Çmimet e zarzavateve u ulën me 14,4 % ndërsa çmimet e frutave u rriten me 4,4 %. Çmimet e grupit “shëndeti” ndikuan me -0,05 pikë përqindje në ndryshimin mujor. Në këtë grup çmimet e shërbimeve spitalore u ulën me 5,6 % dhe medikamenteve u ulën me 0,9 %.
Çmimet e grupit ”qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë ndikuar me -0,05 pikë përqindje në ndryshimin mujor. Çmimet e lëndës djegëse janë ulur me 1,0 % krahasuar me një muaj më parë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





