Rusi, 9 qershor 2014 – Dy persona janë dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Moskë për vrasjen e gazetares ruse Anna Politkovskaya, në vitin 2006. Sipas BBC, ata ishin mes pesë personave të gjetur fajtorë për këtë krim muajin e shkuar.

Politkovskaya, një reportere investigative 48- vjeçare dhe kritike e fortë e luftës së Rusisë në Çeçeni, u qëllua në ashensorin e pallatit ku jetonte. Tre të akuzuar u liruan nga akuzat për vrasje, por Gjykata e Lartë ruse ka urdhëruar rigjykimin e tyre.

Rustam Makhmudov është gjetur fajtor se ka tërhequr këmbëzën dhe është një nga të dënuarit me burgim të përjetshëm. Daja e tij, Lom-Ali Gaitukayev, një prej atyre të gjetur fajtor për organizimin e vrasjes, u burgos po ashtu përjetë.

Tre personat e tjerë, dy prej të cilëve vëllezërit e Makhmudov, janë dënuar me 12 deri në 20 vite burg. Politkosvkaya fitoi famë ndërkombëtare për raportimet e saj për abuzimet e Rusisë në Çeçeni.

Por raportimet e saj, që në atë kohë ishin shumë kritike ndaj presidentit Vladimir Putin dhe lidershipit çeçen i zemëruan shumë autoritetet.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/