SHQIPERI-RUMANI 0-1
Golat: Rat 83′
Shqiperia: Berisha – A.Lila, Curri, Cana, Agolli (Aliti 79′), Kace, Abrashi, Lenjani (Rama 46′), Vila (S.Lilaj 65′), Kapllani (Salihi 46′), Cikalleshi (Gashi 46′). Trajner: De Biazi
Rumania:Tãtãruºanu – Cr. Manea, Dr. Grigore, Chiricheº, Raþ – Bourceanu (C.Tanase 64′), Pintilii (A.Mateu 91′) – Nicoliþã (C.Mateu 46′), Chipciu (C.Lazar 64′), Maxim (F.Tanase 83′), Marica (Rusescu 46′). Trajner: V.Piturka
Kartonë të verdhë: Nikolita 2′
Gjyqtar: Nikolaj Hänni (Zvicër)
31 maj 2014 – Shqipëria ka paguar një gabim në mbrojtje dhe ka pësuar gol në minutën e 83-të, duke çuar dëm mundin dhe djersën e tërë atyre minutave të mira loje në përgjithësi, por edhe mbështetjen e qindra tifozëve shqiptarë, që e kishin veshur stadiumin e Yverdonit në ngjyrat kuqezi.
Veterani rumun, Razvan Rat, ka shfrytëzuar gafën e Lilës në mbrojtje, por edhe të kolegëve të tjerë të prapavijës, të hutuar në atë moment, duke nxjerr “blof” edhe portierin Berisha, që s’ka çfarë të bëjë më. “Gardiani” i Lacios i kishte ndalur rumunët në më shumë se tri-katër herë të tjera, duke u bërë shpëtimtar i portës së tij.
Vijon edhe në këtë ballafaqim dominimi i Rumanisë ndaj nesh, që ka gjetur fitoren e 11-të në 16 ndeshje të luajtura gjatë gjithë historisë. Në tërësi, loja e Shqipërisë nuk u ngrit mbi nivelin mesatar, nuk u shpëtoi gabimeve, sidomos në mbrojtje në momentet e fundit, simptoma të vjetra këto, edhe pse kemi nisur përgatitjet për një edicion të ri futbollistik.
Ndoshta mungesat e disa titullarëve (Mavraj, Meha, Basha, Sadiku, Hyka, Roshi) dhanë efektin e tyre negativ, ashtu sikurse lodhja fizike u pa qartë te tanët në pjesën e dytë, cka mund të përbëjnë justifikim për De Biazin, por produkti i tij vijon të mbetet i njëjti. Indikacionet për njeriun e stolit të kombëtares sonë janë të shumta nga kjo miqësore, me të cilat De Biazi duhet të merret seriozisht e shpejt.
Sepse koha nuk pret. Shtatori nuk është larg dhe kjo kombëtare nuk duket e konsoliduar për të përballuar kundërshtarë të tillë në kualifikueset e “Euro 2016” si Portugalia, Danimarka e Serbia. Hungaria, miqësorja e radhës, vjen pas pak ditësh, ku kuqezinjtë mund të tregojnë tjetër fytyrë dhe të largojë shijen e keqe që la humbja me rumunët.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





