Brazil, 31 maj 2014 – Krimi i organizuar dhe mafia e trukimeve e ka shndërruar futbollin në një sport biznesi. Ndikimi i tyre ka zhvlerësuar sportin më të populluar në botë. Ky problem është i hershëm në historinë e futbollit botëror. Edhe pse organi më i lartë i futbollit, FIFA, po merr të gjitha masat për ndalimin e trukimeve, ku fenomen sa vjen edhe rritet. Rasti i fundit, ai i miqësores mes Nigerisë dhe Skocisë (2-2), ka bërë bujë të madhe në media.
Gazeta angleze "Telegraph" zbuloi se kjo miqësore ishte e implikuar nga mafia e trukimeve. Në fakt, barazimi 2-2 pati hije manipulimi. Agjencia e krimeve britanike (NCA) po heton këtë rast. Nga pamjet filmike dyshohet se portieri i dytë i Nigerisë, Austin Ejide, ka bërë teatër, duke shënuar një autogol me dashje, por në fakt ai gol u anulua, për shkak se portierit iu shkaktua faull. Por, për çudi, Nigeria shënoi sërish autogol, por këtë herë nga mbrojtësi Egvuenke. Në minutat shtesë afrikanët barazuan, duke e mbyllur ndeshjen në 2-2.
Kujtojmë që Nigeria bën pjesë në Grupin F me Argjentinën, Iranin dhe Bosnjë-Hercegovinën. Bëhet e ditur se, nëse Nigeria do të mundohet të manipulojë dy miqësoret e fundit, atë ndaj Greqisë më 4 qershor dhe SHBA-së më 7 qershor, atëherë do të ketë masa ndëshkimore.
Shefi i Sigurisë së FIFA-s, Ralph Mucke, ka dhënë alarmin gjatë një interviste për "BBC". Ai paralajmëron se vetëm Grupi D (Italia, Anglia, Kosta Rika dhe Uruguaj) nuk është i rrezikuar nga trukimet. "Nuk presim që këta persona të vijnë në Brazil dhe të shohin nga afër gafat e portierëve apo mbrojtësve. Por, e dimë që disa janë kontaktuar. Ne po bashkëpunojmë me Interpolin dhe kemi armë të forta për të sulmuar mafien. Kontaktet tona me kompanitë e basteve, rrjetet sociale, janë dëshmitarë dhe ndihmësit tanë për të luftuar këtë krim. Nga informacionet që kemi, vetëm kombëtaret e Grupit D nuk bëjnë pjesë në grupin e skuadrave që përfaqësojnë rrezik trukimi", është shprehur Mucke, i cili është pyetur edhe nga “Bild” për rastin e Nigerisë: "Ky rast na është bërë i qartë. Mirëpo, nuk duam ta komentojmë, në mënyrë që hetuesit të bëjnë të qetë punën e tyre".
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





