Tiranë, 31 maj 2014 – Trafik droge me avion sportiv duke shfrytëzuar mjetet ushtarake ka ndodhur gjatë qeverisjes së kaluar, para 23 Qershorit. Si dhe kur e përdorën Gjadrin për të transportuar drogën e mbështjellë me natriban, gjithçka u lexua sot në një raport të Komisionit hetimor parlamentar për implikimin e Forcave të Armatosura në trafikun e lëndëve narkotike, të ngritur nga mazhoranca pas akuzave së opozitës se nëpërmjet Forcave të Armatosura kryhet transport droge.
"Bëhet fjalë për një dëshmi të plotë në formën e ligjit atë të dokumentit dhe me prova të tjera që provojnë katëcipërisht që në vitin 2012 deri në fillim të vitit 2013, është ulur avion në aeroportin ushtarak të Gjadrit".
Kjo sipas Ermonela Felaj, kryetares së Komisionit Hetimor për çështjen e trafikut të drogës është dëshmia më e fortë dhe rezultat i punës së këtij komisioni.
Komisioni hetimor për çështjen e trafikut të drogës nisi fillimisht mblidhjen me dyer të mbyllura për të bërë publike përfundimet e hetimit. Më pas mbledhja u hap për mediat, ku Komisioni deklaroi se nga sot mbyll punimet e tij disa ditore. Opozita nuk ishte e pranishme gjatë leximit të raportit.
Felaj lexoi dëshmi në një raport që sipas anëtarëve të Komisionit provojnë se mjete të ushtrisë së Forcave të Armatosura janë përdorur për aktivitete kriminale para 23 Qershorit. Felaj tregoi një dokument nga një ushtarak që punonte në aerodromin ushtarak të Gjadrit në Lezhë. Ndër provat rezultoi se trafik droge nga ajri është bërë në kohë kur qeveriste vendin, Partia Demokratike.
“Është kryer aktivitete kriminal transport droge, dëshmitari ka punuar në aeroport si ushtarak oficer. Ai tregon se, një avion ngarkonte arka të dyshimta pako me natriban. Ja cfare tregon:
Kam qenë me shërbim në aerodromin e Gjadrit, gjatë kohës që kam qenë me shërbim në tetor 2012, kam patur informim se këtu ulet një avion charter, që ngarkonte arka të dyshimta. Në një prej ditëve që isha në shërbim, rreth orës 7:30, kam komunikuar në telefon me komandën e truprojes, me shetasin me inicialet E.M, Pasi njoftimit kanë shkuar në aerodrom me motoçikletë dhe është konstatuar një avion i cili po merrte karburant dhe pako të mbështjella me letër natriban. Janë pyetur personat në fjalësse çfarë po bënin në një bazë ushtarake. Është thënë se po bënin stërvitje për luftën kundër lëndëve narkotike, dhe se ishin të SHIK-ut. Ne jemi të SHIK-ut kanë thënë dhe kanë ikur. Dëshmitari S. Gj Ka komunikuar sërish me një epror me kapitenin A.Sh, i cili i ka thënë të mos u hapte telashe. Pas këtij moment avioni ka shkuar në Gjadër edhe dy herë të tjera, por dëshmitari nuk është afruar pasi disa persona i kanë thënë se për të punuar në aerodrome kishin marrë leje nga Ministria e Mbrojtjes.”- theksoi Felaj e cila shton se "më pas dëshmitari është zhvendosur nga ai vend pune në një vend tjetër".
Sipas Felaj, dëshmitari ka dëshmuar cfarë ka parë me sytë e tij në Gjadër.
"Nga fundi i vitit 2012 deri në fillim të vitit 2013, ky avion i vogël i bardhë sportiv ka kryer ulje në pistën e aerodromit të Gjadrit, dhe sic përshkruan dëshmitari S. Gj, uljet janë kryer ditëve të shtuna dhe të diela ora 8 deri 11.30 dhe të martën apo mërkurën, ora 13-15 e 30 në periudhën tetor-nëntor 2012, por nuk janë evidentuar në librin e shërbimit të truprojës Gjadër.
Dua të theksoj se aerodrome rezervë, qëndra e materialeve të tepërta të forcave të armatosura dhe stacioni meterologjik Gjadër- Lezhë, ky është emërtimi që ka aerodrome i Gjadrit, që nga 1 qershori i vitit 2012 është në planin e përhapjes, por si personel të angazhuar në këtë strukturë është ai meterologjik".
“Dëshmitari S.GJ ka dhënë dëshmi të vërtetë dhe të plotë”, siguroi Felaj.
Felaj, theksoi se në përfundim të hetimeve, gjetjet e këtij komisioni hedhin poshtë akuzat për përfshirjen e FA-ve dhe infrastrukturës ushtarake në trafik droge pas 15 shtatorit 2013-të. Gjetjet vënë në pah se ky trafik ka filluar të lulëzojë në bashkëpunim aktiv apo pasiv, që nga niveli bazë i Forcave të Armatosura, gjatë viteve 2010-2012, ku avionë të vegjël flutorinin pa leje përkatëse, apo pa bërë me dije lejen. Trafiku i lëndëve narkotike është organizuar dhe fshehur nga strukturat e FA, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Avioacionin Civil, theksoi ajo.
Madje Felaj bëri të ditur dhe detaje mbi importimin e avionëve të vegjël. “Sipas Drejtorisë së Doganave në vitin 2009 u importuan avionë sportivë nga Italia, Sllovenia”.
Komisioni hetimor për çështjen e trafikut të drogës nisi fillimisht mblidhjen me dyer të mbyllura për të bërë publike përfundimet e hetimit. Më pas mbledhja u hap për mediat ku Felaj sqaroi pse u mblodhen pa prezencen e medias:
“Në respektin tuaj dhe të publikut unë e shoh të arsyeshme tju sqaroj pse pjesa e parë u zhvillua me dyer të mbyllura. Rendi i ditës së kësaj mbledhje ka qenë ky, miratimi i procesverbalit, shqyrtimi i përfundimit të hetimeve. Pika e parë detyroi komisionin të zhvillonte mbledhjen me dyer të mbyllura. Informacion i klasifikuar si informacion sekret shtetëror”.
Opozita nuk mori pjesë në këtë mbledhje sepse sipas tyre Komisioni parlamentar dështoi që pas zbulimit të një avioni në Divjakë që dyshohet se transportonte drogë. Sipas opozitës, ky Komision nuk ia vlente të hetonte mbi akuzat e mëparshme, por duhet të ringrihej i ri që të faktonte cështjet e trafikut të drogës me avionë nga ajri.
Komisioni në fund votoi raportin që lexoi Felaj, dokument që do i dërgohet Kuvendit për miratim. Komisioni vendosi po ashtu edhe dërgimin në Prokurorinë e Përgjithshme, për të vënë para përgjegjësisë të gjithë përgjegjësit për lulëzimin e trafikut të drogës nga ajri, në periudhën e ish qeverisjes së mëparshme.





