DURRËS, 31 maj 2014 – Sërish tërmet, tani në det, ditën e fundit të majit, teksa në orën 9 pa pesë minuta disa dridhje të lehta shkundën banesat e zonës së Ishmit, në pjesën perëndimore të Kepit të Rodonit deri në objektet turistike të Gjirit të Lalëzit, por pa zarare.
Rrjeti sizmologjik shqiptar njofton se më 31 maj 2014, ora 6:55:59 (GMT) ose 8:55:59 (koha e Shqipërisë, +2 GMT) ka regjistruar lëkundje të lehta të tokës me forcë 2,9 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër në thellësinë 7 km.
Sipas departamentit të sizmologjisë së Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit dukuria tektonike ka ndodhur në detin Adriatik, 30 km në vijë ajrore në veriperëndim të qytetit të Durrësit, në koordinatat 41.56°V, 19.31°L.
Në të vërtet, sipas llogaritjeve me google earth, tërmeti ka ndodhur në një distancë 26 km në veriperëndim të Durrësit dhe 16 km në jugperëndim të Kepit të Rodonit (komuna e Ishmit).
Edhe pse dridhjet e tokës janë ndier në fshatrat Bizë, Draç, Shetaj, Likmetaj, Rrotull, Shën Pjetër, Kërtushaj, Kapedanaj, Gjuricaj, Lalëz, Kuraten të komunës së Ishmit, si dhe në Bubq, Fushë-Kuqe, nuk ka njoftime për viktima apo dëme materiale.
Ndërsa në perimetrin detar të vendndodhjes së tërmetit, ku pati disa dallgë të larta për pak sekonda, ka anije të mbytura të Luftës I Botërore.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





