Itali, 31 maj 2014 – Karabinierët e qytetit të Akuilës (Aquila) vazhdojnë goditjen kundër individëve dhe grupeve të organizuara të hajdutëve shqiptarë, të specializuar në vjedhjen e bakrit. Grupet e hajdutëve shqiptarë kanë kryer një seri vjedhjesh të objekteve prej bakri (tela, kavo, lamiera bakri, tuba etj.) në komunat e Montreales, Baretës, Picolit etj., nga fillimi i muajit shkurt e në vazhdim. 

Bakri i vjedhur më pas i shitej një fabrike shkrirjeje metalesh me ngjyra në qytezën e Bacanos. Në sajë të punës investiguese të karabinierëve, provave dhe fakteve të grumbulluara prej tyre gjykata urdhëroi arrestimin e dy shqiptarëve të përfshirë në këtë serial vjedhjesh.

E.E. 29 vjeç u kap nga karabinierët, ndërsa “kolegu” i tij E. F. arriti t’i shpëtojë prangave. Karabinierët kanë informacion se ai është larguar drejt Shqipërisë dhe për këtë janë vënë në kontakt me homologët shqiptarë për ta prangosur.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/