Tiranë, 30 maj 2014  – “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Shqipërinë në çdo veprim që është duke ndërmarrë”, deklaroi sot Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore në takimin me Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, të zhvilluar në Budva të Malit të Zi, në kuadër të forumit “To be Secure” . 

Sa i takon statusit të vendit kandidat, ai tha se kjo është një çështje që ka të bëjë me interesat e të dy vendeve, si anëtare të NATO-s. 

“Këtë mesazh e kemi dhënë dhe në Tiranë, por mesazhet tona nuk mund të them se kanë rënë në vesh të shurdhër, por në veshë që nuk duan të dëgjojnë”, – deklaroi zyrtari i lartë amerikan. 

Më tej Moore u shpreh se SHBA vlerëson kontributin që Shqipëria po jep në NATO. Ai shprehu edhe një herë mbështetjen në të gjitha nismat antikorrupsion të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes, duke theksuar se është për t’u vlerësuar bashkëpunimi me Prokurorinë, duke e quajtur atë si një veprim të duhur në të tilla raste.“Asnjë person apo institucion nuk duhet të bëhet pengesë për progresin dhe ecurinë e reformave”, – u shpreh Moore. 

Moore ka theksuar se SHBA i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe inkurajon përpjekjet për të arritur qëllimet e përbashkëta. “Ne ju mbështesim plotësisht në përpjekjet tuaja për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin e FA”. 

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e informoi Jonathan Moore për hapat që janë duke u ndërmarrë në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, dy zyrtarët e lartë kanë diskutuaar edhe në lidhje me përpjekjet që po bën Mali i Zi për përmbushjen e kushteve për anëtarësimin në NATO si dhe për çështje që kanë të bëjnë me atë se çfarë do të jetë NATO pas 2014. 

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli mori pjesë në forumin “To be Secure” që zhvillohet në Budva të Malit të Zi, nga data 29 deri më 31 maj 2014. 

Në këtë takim marrin pjesë ministra të Mbrojtjes, ambasadorë dhe përfaqësues të lartë të vendeve të rajonit dhe më gjërë. 

Në forumin “To be Secure” është diskutuar për një sërë çështjesh të rëndësishme, si për situatën në Ukrainë, për qëndrimin në Afganistan pas vitit 2014 etj. 

Duke marrë fjalën në këtë takim, ministrja Kodheli është ndalur në çështjen e Afganistanit pas 2014. Ajo ka theksuar: “Shqipëria do të jetë krah për krah me aleatët për vendimet që do të merren. Ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur”. 

Ministrja Kodheli gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me ministren e Mbrojtjes së Malit të Zi, Milica Pejanovic. 

Ministrja Kodheli i ka shprehur homologes së saj, Pejanovic, se Shqipëria mbështet politikën e “dyerve të hapura” dhe dëshiron të shohë Malin e Zi sa më shpejt anëtarë të NATO-s. 

“Anëtarësimi i Mali i Zi në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit”, ka theksuar ministrja Kodheli. 

Më tej, ministrja Kodheli është shprehur se, shqiptarët e Malit të Zi janë dhe do të vazhdojnë të jenë një urë lidhëse mes dy vendeve tona dhe një element stabiliteti dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. 

Dy ministret e Mbrojtjes kanë diskutuar edhe për situatën në rajonin tonë, si dhe për zhvillimet në Ukrainë. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/