Itali, 30 maj 2014 – Vogëlushi Mark Kurti, vetëm 5 vjeç, ndërroi jetë në Spitalin Santa Maria Nuova. Marku, që nga lindja vuante nga një sëmundje e rëndë, që linte pak shpresa për të mbijetuar.

Babai i Markut është një punëtor i thjeshtë, por me zemër të madhe. E ëma një luaneshë e vërtetë, gjithë këto pesë vite ia kishte kushtuar Markut të vogël, që ishte fëmija i vetëm i çiftit shqiptar.

Nëna e kishte ndjekur pas të birin nga spitali në spital me shpresën se mjekësia apo vetë Zoti do bënin një mrekulli për Markun e vogël. Në fillim e shtruan në Spitalin Santa Maria di Reggio, më pas në Spitalin Meyer të Torinos, një nga spitalet për fëmijë më të mirë të Evropës.

Në fund fare vogëlushi kurohej në Spitalin Santa Maria Nuova. Tashmë për Markun u sosën vuajtjet e trupi i vockël do të prehet në paqe në varrezat e qytezës së San Polo afër Bolonjës.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/