Tiranë, 26 maj 2014 – Familjarët e nënës së dy fëmijëve, e cila u gjet pa jetë e qëlluar me armë zjarri në fshatin Prush në periferi të Tiranës më 22 maj 2014, pretendojnë se 28- vjeçarja është vrarë. Kështu shkruan sot gazeta “Panorama”, e cila zbardh dëshminë e familjareve lidhur me këtë ngjarje. 

Motra e Ana Fjollës, bëri të ditur dje se ngjarja ka elemente dhe dëshmi që flasin për vrasje dhe jo për vetëvrasje, siç u pretendua fillimisht nga policia. Gjatë një komunikimi me gazetën “Panorama”, dje rreth orës 19:28, motra e viktimës tregon se bashkëshorti i 28-vjeçares është arrestuar nga policia, por ai akuzohet vetëm për armëmbajtje pa leje. Edhe policia në një deklaratë për ngjarjen ka njoftuar në fakt se shtetasi Agron Fjolla, bashkëshorti i gruas që u gjet e qëlluar me plumb në banesë, është vënë në pranga. 

Sipas deklaratës së Policisë, 36-vjeçari është arrestuar për akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe ndaj tij nuk është artikuluar asnjë dyshim për vrasje. Megjithatë, motra e viktimës mendon ndryshe dhe shprehet se ngjarja ka shumë momente misteri. Ajo i bën thirrje policisë dhe prokurorisë ta hetojnë ngjarjen plotësisht dhe të zbardhin të vërtetën. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, motra e viktimës theksoi se arma me të cilën është qëlluar Ana Fjolla, nuk është gjetur në banesë. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/