Durrës, 26 maj 2014 – Sipërfaqja e tokës në të cilën është ngritur pallati 9 katësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës rezulton të jetë në pronësi të shtetit. Nga verifikimet e bëra nga INUK Durrës në kartelën e pasurisë për këtë tokë, rezulton se kjo sipërfaqe prej 839 m2, sipas azhornimit që i është bërë me datë 28.11.2012, rezulton të jetë në pronësi të shtetit.
Pra përveç faktit që është ndërtim pa leje, problematika e kësaj godine shumëkatëshe komplikohet edhe më tepër, pasi ndërtuesi Enver Shala e ka ngritur pallatin në tokë shtetërore.
Në datë 18 maj, gjykata e rrethit Durrës me një vendim të saj caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Enver Shala dhe kryeinspektorin vendor të komunës Rrashbull, Fiqiri Dema me akuzën “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”.
Deri tani në prangat e policisë ka përfunduar kryeinspektori Dema, ndërkohë që policia nuk ka mundur të gjejë në banesë biznesmenin Shala, e për këtë ai është shpallur në kërkim.
Shembja e pallatit
Grupi i punës ndodhet në fund të procesit për shëmbjen e objektit 9-katësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sipas INUK, dita e mërkurë mund të jetë dita, kur shpërthimi i telekomanduar pritet të rrafshojë ndërtimin shumëkatësh në breg të detit. Procesi i hapjes së vrimave, me qëllim vendosjen e lëndës plasëse, thuajse ka përfunduar.
Sipas specialistëve, në kolonat e objektit 9-katësh do të hapen në total rreth dy mijë vrima, ndërkohë që për shembje pritet të përdoren rreth 150 kg lëndë plasëse e llojit tritol C4.
Shpërthimi me eksploziv i këtij objekti paraqet vështirësi të shumta për specialistët për faktin se pranë tij, ngrihen pallate të tjera, të cilat mund të dëmtohen nga shpërthimi.
Specialistët kanë arritur në përfundimin që shembja e objektit 9 katësh të bëhet nga rruga dhe jo nga ana e plazhit, pasi në këtë mënyrë shmanget dëmtimi i ndërtesave të tjera shumë pranë pallatit të planifikuar për t’u shembur.
Ditën kur do të shëmbet objekti, e gjithë zona do të zbrazet në një perimetër rreth 200 metra, për të evituar dëmtimet në njerëz.
Ndërkohë pritet që edhe në autostradën Plepa – Kavajë të ndërpritet qarkullimi për disa orë për rrezikshmërinë që mund të paraqesë shembja e pallatit si dhe për faktin se më pas duhet të ndërhyhet për të larguar mbetjet inerte që mund të përhapen në këtë segment nga forca e shpërthimit.
Ky nuk është objekti i parë që i shembet biznesmenit të ndërtimit Enver Shala. Muaj më parë, INUK shembi kompleksin “Kamelia”, tek Ura e Dajlanit, objekt ky që rezultonte të ishte ngritur pa leje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





