SHBA, 26 maj 2014 – Amerikania Xhesi Uajt, 99 vjeç, mori diplomën nga Kolegji Beal, si stenografe dhe llogaritare. Faktikisht Xhesi duhet ta kishte marrë këtë diplomë në vitin 1939.
Fatkeqësisht ajo nuk pati mundësi të paguante 5 $ faturën e diplomës (rroga e dy ditëve punë në atë kohë) dhe kolegji nuk ia dha diplomën.
Një mik i Xhesit, kur e mësoi këtë histori, bëri pagesën e diplomës si edhe organizoi me shpenzimet e tij ceremoninë festive për dhënien e diplomës të moshuarës.
Për Televizionin amerikan ABC, Xhesi shprehet se ndihet shumë mirë tashmë, që arriti të diplomohet. Ajo gjithë jetën e saj e ka çarë me mund e me vështirësi.
Ndonëse e mbetur sakate nga poliomeliti, Xhesi arriti të gjejë punë si llogaritare deri sa doli në pension. Siç thotë dhe vetë, motoja e saj gjithë jetën ka qenë: “Kurrë mos pusho së mësuari. Kurrë mos pusho së përpjekuri për të arritur suksesin”.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





