Itali, 25 maj 2014 – Një shqiptar ka mbetur i plagosur, mbrëmjen e djeshme në Conversano, në provincën e Barit.
Burime policore italiane bëjnë të ditur se plagosja ka ndodhur pas një sherri mes disa emigrantëve shqiptarë në një rrugë, në afërsi të stadiumit të qytetit.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet publik, ka marrë një plumb në këmbë dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Në zonën ku u dëgjuan të shtënat ndodhet një park lojrash, ku ishin mbledhur shumë njerëz për të marrë pjesë në një festë fetare.
Dyshohet se grindja mes shqiptarëve ka nisur pikërisht në këtë park lojrash dhe ka vazhduar më pas disa qindra metra më tej.
Policia po heton për të identifikuar dhe kapur autorin e plagosjes.
Ndërkohë shqiptari që mbeti i plagosur duket se ka marrë një plagë të lehtë dhe do t’i duhet të qëndrojë i shtruar në spital për rreth 10 ditë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





