Durrës, 25 maj 2014 – Një konflikt i çastit mes dy bashkëshortëve në një piceri në qytetin e Durrësit është mbyllur me plagosjen me thikë të burrit nga ana e bashkëshortes.

Mësohet se çifti Aliraj ndodhej në një piceri në lagjen nr.6, të qytetit të Durrësit pasditen e sotme, rreth orës 18.30, duke darkuar. Por ndërsa po konsumonin ushqimin mes çiftit ka nisur një debat i ashpër, gjatë të cilit bashkëshortja ka goditur me thikë burrin e saj duke i shkaktuar dëmtime serioze për jetën.

Policia e Durrësit bën të ditur se 25 vjeçarja Vanesa Aliraj ka qëlluar bashkëshortin e saj 27 vjeçar një herë me thikë pas një konflikti të çastit. I dëmtuari është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ku edhe ka marrë ndihmën e parë e ndodhet aktualisht nën trajtim mjekësor.

Policia, e cila është njoftuar menjëherë nga personeli i picerisë ka prangosur në flagrancë 25 vjeçaren Vanesa Aliraj, ndërkohë që ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit.

Mësohet se çifti Aliraj ishin banorë të lagjes nr.6, ku dhe u konsumua krimi. 25 vjeçarja akuzohet për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje ”, të parashikuar nga neni 881 i Kodit Penal. Nga hetimet e para rezultoi se ngjarja në fjalë ka ndodhur për shkak të konflikteve të çastit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/