25 maj 2014 – Sulmuesi i Mançester Junaited, Adnan Januzaj, i cili do të luajë që nga minuta e parë me fanellën e Belgjikës në miqësoren e së hënës përballë Luksemburgut, në moshën 19-vjeçare është tejet i  vlerësuar nga trajneri Mark Vilmots për në Botërorin 2014.

I lindur në Bruksel, ylli me prejardhje nga Istogu i Kosovës, ishte i kërkuar nga disa përfaqësuese, por zgjedhja e tij ka qenë Belgjika.

“Unë kam lindur në Bruksel, kam studiuar në Belgjikë deri në moshën 16-vjeçare e jam përgatitur te Anderleht”, ka thënë Januzaj, raporton Koha.

Për të justifikuar grumbullimin e tij, Vilmots evokon “talentin dhe polivalencën” e lojtarit te ri.

“Adnani mund të luajë me numrin 10, në pozicionin e tij anësor ku ka luajtur në ekipin e të rinjve”, thekson trajneri.

Januzaj është shprehur nga ana e tij se “pozicioni më i mirë për të do të ishte ai i sulmuesit të fundit”.

Ish-futbollisti i përfaqësueses, Mark Degryse, është shprehur nga ana e tij: “Adnani është Zidane i së ardhmes. Tek ai, Belgjika ka gjetur një lojtar të jashtëzakonshëm. Mendoj se ai do të bëhet më i fortë se Eden Hazard”.