Sukth, 25 maj 2014 – Pas informacioneve në rrugë operative, policia e Tiranës ka bërë të mundur sekuestrimin e 5 kg kanabis sativa dhe një automatiku, në një nga trailerat e firmës “Kapurani Trans” me qendër në Sukth.

Në prangat e policisë kanë rënë deri në këto momente dy persona, punonjës të firmës “Kapurani Trans” në pronësi të Foto Kapuranit.  Sipas policisë, sekuestrimi i lëndës narkotike dhe automatikut është bërë gjatë kontrollit në parkingun e “Kapurani Trans” në autostradë në bashkinë e Sukthit.

Nga informacionet e mbledhura në rrugë operative dhe nga hetimet paraprake, po hetohet edhe më tej pasi dyshohet se kjo kompani, duke e fshehur sasinë e lëndës narkotike në trailera, kryente transportimin e drogës drejt Gjermanisë dhe Italisë. 

Trailerat si dhe parkingu është vënë nën kontrollin e uniformave blu, ndërkohë që po kryhen hetime dhe kontrolle në banesat e personave të ndaluar.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/