Kurbin, 25 maj 2014 – Mimoza Keqi, nëna 40-vjeçare që mori jetën e së bijës e më pas vrau edhe veten, po kalonte një fazë depresioni gjatë muajve të fundit. Gazeta “Panorama” shkruan sot se ikja e djalit të saj të vetëm në mënyrë klandestine në Amerike e kishte rënduar gjendjen psikologjike të gruas.
Ideja se do kalonin disa vite pa e parë të birin, pasi ai nuk kishte dokumente në kontinentin e largët, e kishte tronditur aq fort psikikën e saj, aq sa kjo ishte vërejtur edhe te banorët e fshatit.
“Mimoza kohët e fundit qëndronte shumë e mbyllur dhe fliste shumë pak. Kjo ndodhi që pas emigrimit të djalit të saj të vetëm rreth 7 muaj më parë. Ai është 22 vjeç dhe nuk ishte larguar më parë nga shtëpia. Me sa duket, Mimoza e ka pasur të pamundur ta përballojë mungesën e të birit për një kohë të gjatë. E pyesnim për të shpesh, por ajo vetëm qante. Ishte mërzitur kaq shumë, sa qëndronte vetëm brenda. Me sa dukej, ajo kishte kaluar në një gjendje depresive nga mërzia që kishte. Me vajzën kishte marrëdhënie të mira dhe nuk dimë që të kenë pasur konflikte asnjëherë”,- thonë fqinjë të familjes Keqi.
Bazuar në dëshminë e banorëve dhe të të afërmve të familjes Keqi, edhe policia ngre dyshime të forta se ka qenë gjendja depresive e gruas ajo që shkaktoi këtë tragjedi.
/gazeta "Panorama”/





