DURRËS, 25 maj 2014 – Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), popullsia e Shqipërisë, më 1 janar 2014, shënonte një shifër prej 2 895 947 banorësh.
Qarku i Durrësit (ku përfshihen rrethet Durrës dhe Krujë) ka regjistruar në popullsi prej 275 205 banorësh ose 9.5 për qind të numrit gjithsej të republikës, duke zënë vendin e katërt pas qarkut të Tiranës (që përfshin bashkinë e Tiranës, rrethet e Tiranës dhe Kavajës me 788 330 banorë, ose 27.2 për qind të totalit), Fierit (që përfshin rrethet e Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës me 317 799 banorë, ose 10.97 për qind të totalit) dhe Elbasanit (që përfshin rrethet e Elbasanit, Librazhdit, Gramshit dhe Peqinit me 302 827, ose 10.45 për qind të totalit të republikës).
Ndërkaq qarku i Durrësit është në vend të parë për sa i përket raportit popullsi urbane (që banon në qytete) / popullsi rurale (që banon në fshatra).
Po sipas INSTAT-it, në zonat urbane të qarkut të Durrësit ka një popullsi prej 229 170 banorësh ose 83.2 për qind ndaj numrit gjithsej (popullsia rurale regjistron vetëm 46 035 banorë); bie në sy fakti që mesatarja e vendit është 57 për qind popullsi urbane (1 651 402 banorë); kurse qarku i Tiranës 77,2 për qind e numrit gjithsej (me 608 818 banorë në qytete).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





