Durrës, 25 maj 2014 – 27 korrik 2010. Një dokument që mban firmat e 8 specialistëve dhe drejtuesve të institucioneve, ndër ta Ministrit të Kulturës të asokohe, Ferdinand Xhaferri, drejtorit të monumenteve Apollon Baçe dhe kreut të Shërbimit Arkeologjik, Roland Olli, vendos lirimin e gropës për ndërtimin e objektit sipas projektit të depozituar pranë Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.
Një vendim ky i cili diktoi mbulimin e rrënojave romake në qytetin e Durrësit, në zonën që njihet si ish-lulishtja 1 Maji ku u zbuluan rrënojat e një lagjeje romake. Por gërmimet e shpëtimit në këtë zonë, na çojnë në një tjetër emër, atë të arkeologut Gjergj Frashëri, i cili ka përgatitur edhe relacionin.
“Është zhdukje e njërit nga zbulimet më të mrekullueshme të ndodhur në Shqipëri në tre- katër dekadat e fundit. Vet autorët e ngjarjes ja kanë vënë emrin ngjarjes. Në shtator të vitit 2013 ka një referim në një kongres të bërë në Çeki për arkeologjinë e shpëtimit nga autori i gërmimit, arkeologu Gjergj Frashëri i cili e raporton këtë zbulim i cili për nga rëndësia, për nga qytetërimi që ka gjetur, për nga niveli ndërtimor mund të krahasohet me ndërtimet e Pompeit apo të Romës. Thotë që ky është një zbulim përtej përmasës kombëtare dhe i vë dhe emrin. Ministria thotë dështoi ta ruante këtë lëndë arkeologjike. Autori e ka të qartë çfarë do të duhet të kishte ndodhur. Nëse kalojmë tek relacioni paraqitur në ministri nga ky autor që ka bërë gërmimet, në relacion thuhet u bë gërmimi, gjetjet të shkojnë në muze kjo dhe ajo pjesës dhe sheshi ti dorëzohet ndërtuesit dhe të vazhdojë ndërtimi i pallatit,”– shprehet arkitekti Arben Biçoku.
“Dokumentet për këto shkelje qarkullojnë prej kohësh… e duke qenë çështje shkeljesh ligjore, është prokuroria ajo që duhet ta hetojë rastin”,- thotë arkitekti Biçoku.
Z. Biçoku thotë gjithashtu se kjo dosje s’mund të mos jetë e plotë në ministri.
Fakt është që rrënojat romake i zëvendësoi betoni i 2 pallateve…ndërsa pyetja që shtrohet tani është, çfarë duhet dhe çfarë do të bëjnë institucionet, veçmas Ministria e Kulturës, që përgjegjësit e këtij skandali të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e kryera.
/news 24/





