Tiranë, 25 maj 2014 – Paralelisht me dosjen e hapur kryesisht për trafikun e drogës me avionë nga bazat e Ushtrisë, Krimet e Rënda janë duke hetuar edhe çështjen e avionit italian që ra në Divjakë më 10 maj. Në kuadër të këtij hetimi, prokuroria ka kërkuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Alb-kontrolli të gjithë emrat e pilotëve, personave shoqërues, si dhe kompanive që janë ulur brenda territorit shqiptar me avion charter dhe ata sportivë gjatë vitit 2013 dhe 2014. Nga të dhënat e marra deri më tani nga prokuroria, mësohet se gjatë vitit 2013 në Aeroportin e Rinasit janë ulur rreth 640 avionë të vegjël. Nga ana tjetër, gjatë muajve të parë të vitit 2014 rezulton se në Rinas janë ulur rreth 250 avionë të tillë, që hyjnë në kategorinë e avionëve charter ose sportivë, raporton gazeta “Panorama”.
Pas kërkesës së prokurorisë, në mënyrë zyrtare drejtuesit e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Alb-kontrollit kanë pohuar se në asnjë rast nuk është identifikuar ndonjë avion, që të jetë pajisur me leje fluturimi apo të jetë ulur në ndonjë pistë tjetër, veç Aeroportit të Rinasit.
Organi i akuzës iu drejtua me kërkesë për informacion organeve të aviacionit shqiptar, pas ngjarjes së ndodhur më 10 maj në plazhin e Divjakës. Në këtë zonë, pak pas mesditës së 10 majit, avioni “Piper Lance II”, i drejtuar nga shtetasi italian Giorgio Riformato, ngeci në rërë teksa tentonte të ulej. Pak metra më tutje, policia arrestoi shtetasin Saimir Bajrami, i cili kishte shkuar në këtë zonë disa orë më parë me një makinë të ngarkuar me 460 kilogramë drogë dhe po priste uljen e avionit italian, i cili do të ngarkohej me kanabis për të fluturuar drejt Italisë. Piloti i avionit në momentin e ngritjes në Rinas, më 10 maj, në orën 13:26, kishte deklaruar se destinacioni i tij ishte Pescara në Itali, por mbi Durrës kishte devijuar fluturimin e më pas ka fikur pajisjet e navigimit duke u zhdukur edhe nga mbikëqyrja e radarëve.
Prokuroria është duke hetuar procedurat e ndjekura me dhënien e lejes së fluturimit për avionin që mbërriti në Rinas në 8 maj nga Korfuzi. Po kështu po hetohet edhe mënyra se si është lejuar piloti italian që të devijojë korridorin e fluturimit pak minuta pas ngritjes nga Rinasi në datën 10 maj. Mësohet se kulla i ka aprovuar devijimin e fluturimit pilotit, që ka kërkuar një fluturim jashtë plani për disa minuta “me qëllim që të shikojë detin”.
/gazeta “Panorama”/





