Durrës, 25 maj 2014 – Ndërtimi pa leje i pallatit 9-katësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës ka çuar në pranga kryeinspektorin urbanistik në komunën Rrashbull, Fiqiri Dema, ndërkohë që biznesmeni Enver Shala është shpallur në kërkim. Dy shtetasit në fjalë akuzohen për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”.
Nga hetimi i ndërmarrë nga prokuroria e Durrësit, rezulton se biznesmeni Enver Shala ka kryer një ndërtim të paligjshëm 7 kate + garazh në zonën e Shkëmbit të Kavajës, shumë pranë detit. Ndërkohë, megjithëse ndërtimi pa leje është konstatuar nga kryeinspektori i INUK, Fiqiri Dema, ky i fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për raportimin e këtij rasti, si edhe për ndërhyrjen për prishjen e tij.
Arrestimi i inspektorit Dema u bë nga policia me vendim të gjykatës së Rrethit Durrës, e cila kishte vendosur masë sigurie “arrest në burg”. Ndërkohë, përsa i përket Shalës, policia nuk ka mundur ta gjejë në adresën përkatëse dhe e ka shpallur në kërkim këtë shtetas. Dema akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndërsa Shala për “Ndërtim të paligjshëm”. Burime nga gjykata e Durrësit sqaruan se me datë 18.05.2014, togat e zeza vendosën masën e sigurisë “arrest në burg” për dy shtetasit.
Momentalisht pallati 9-katësh është bllokuar nga INUK dhe ka filluar vendosja e kallëpeve të tritolit për shëmbjen e tij, shëmbje që pritet të ndodhë në ditët në vijim. Prishja e këtij objekti ka një specifikë të veçantë, pasi shumë afër tij ndodhen ndërtesa të tjera, që mund të dëmtohen nga shpërthimi i telekomanduar.
Pallati 9-katësh ndodhet vetëm disa metra larg autostradës Plepa – Kavajë dhe besohet se ditën kur do të vendoset shembja e godinës, lëvizja në këtë segment rrugor do të bllokohet për disa orë. Inspektorët e INUK kanë sqaruar se ata tentojnë që me shpërthimin e telekomanduar të shëmben vetëm katet e sipërme të ndërtesës, ndërkohë që për rrafshimin e plotë të saj pritet të ndërhyhet me mjete të rënda.
Shëmbja e kësaj godine shumëkatëshe bëhet në një periudhë kur sezoni veror ka nisur dhe bregdeti i Durrësit dhe ai i Shkëmbit të Kavajës pritet të frekuentohet nga një numër i madh turistësh vendas dhe të huaj.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





