Itali, 24 maj 2014 – Karabinierët e Gjenovës, të premten në darkë, neutralizuan një bandë shqiptarësh, që merrej me shitje kokaine me shumicë, krahas furnizimit të tregut me kanabis. Pesë shqiptarët, që u vunë në pranga (emrat e të cilëve do të bëhen publik në një konferencë shtypi, që do të mbahet të dielën), janë të rinj, të moshës nga 20 në 23 vjeç.
Duke pasur parasysh krizën ekonomike, ata i furnizonin shpërndarësit e kokainës me shumicë dhe pranonin të paguheshin me këste në varësi të shitjes së drogës. Gjithsejt, 5 shqiptarëve, iu kapën 3 kg kokainë e pastër dhe 400 gramë marijuanë. Banda përdorte një gjuhë të koduar në bisedat telefonike, në mënyrë, që t’i shmangeshin maksimalisht përgjimit. Droga magazinohej në periferi të Firences në termuse, që groposeshin në pyll, në mënyrë që të evitohej kapja nga policia të sasive të mëdha në rast zbulimi. Transporti nga Firence në Gjenovë bëhej me korrierë, që udhëtonin me trena.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





