·        Kështu ish-27 punëtorë të Kantierit Detar hedhin “tuç” turqit e “Kurum”-it, që i flakën në rrugë, por që do t’u paguajnë gjithsej 7 504 188 lekë shpërblime për vjetërsi për periudhën kur kanë punuar në shtet, për shembull, që nga viti 1967

 

Nga Thanas Mustaqi

 

DURRËS, 24 maj 2014–  Është zhvilluar jashtë syve të publikut një betejë gjyqësore midis 27 punonjësve shqiptarë dhe shoqërisë turke “Durrës Kurum Shipping” sha.

“Dyrrah”-u mësoi se më 5 maj 2014, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), shoqëria përmbarimore private “Hoti Bailiff Services” ka depozituar urdhrin për vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi aksionet e palës debitore shoqëria “Durrës Kurum Shipping” sha, me përfaqësues ligjor Sokol Plani, me qëllim pengimin e ndryshimit të statusit dhe shitjen e kuotave të shoqërisë.

Gjykata e rrethit gjyqësor Durrës lëshoi urdhër ekzekutimi (shih faksimilet) për vendimin nr. 812, datë 25 mars 2013 të gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, pasi ka marrë formë të prerë më 10 shkurt 2014 nga gjykata e apelit Durrës, detyrimin e “Durres Kurum Shipping” t’u paguajë ish-27 punonjësve të kantierit detar shpërblimin për vjetërsi në punë, bazuar në fillimin e marrëdhënieve të punës dhe në ndërprerjen e tyre.

Më 30 prill 2014 “Durres Kurum Shipping” ka njoftuar 27 punëtorë për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës më 31 korrik 2012, si rezultat ndalimit të punës dhe mbylljes së veprimtarisë së shoqërisë.

Sipas vërtetimeve, lëshuar nga Federata Kimi-Metalurgji, rezulton se të gjithë paditësit kanë qenë anëtarë të federatës sindikale Kimi-Metalurgji, kur dhe është ndërprerë marrëdhënia e punës.

FILLOJNË PUNË MË 1967, U NJIHET VJETËRSIA NGA VITI 1993

Marrëdhënia e punës ka filluar për secilin para viteve 1990 në Kantierin Detar, kur ka qenë ndërmarrje shtetërore.

Përmendim se Xhevdet Abdishaj, Ibrahim Rrushkulli dhe Sotiraq Laluci kanë filluar punë qysh në vitin e largët 1967, pra 47 vjet më parë; Beran Xherahi dhe Skënder Demiri në vitin 1971; Enver Terziu, Adriatik Agalliu, Nazmi Baqiqi, Xhaferr Karalliu dhe Haxhi Ademi në vitin 1972; dhe kështu me radhë në vite të ndryshme.

Me pushimin kolektiv nga puna “Kurum”-i ka shpërblyer, ndër të tjera, ish-punonjësit edhe për vjetërsinë në punë, duke e përllogaritur këtë vjetërsi për secilin nga maji 1993 deri në korrik 2012, duke u hequr mbi 20 vjet vjetërsi shumicës së tyre.

Avokati Raimond Todhe argumentoi se punonjësit nuk i kanë ndërprerë në asnjë moment marrëdhëniet e punës nga dita kur kanë nisur punë në kantierin detar, e për rrjedhojë të gjitha detyrimet për shpërblimin e vjetërsisë në punë barten nga “Kurum”-i.

SHQIPTARËT E TURQVE: T’UA PAGUAJË SHTETI

Përfaqësuesi i “Kurum”-it, juristi shqiptar Oljon Kaso, që ka drejtor të përgjithshëm, nën hyqmin e turqve, shqiptarin Sokol Plani, pretendoi se detyrimi i “Kurum”-it për shpërblimin e vjetërsisë në punë ka filluar nga maji 1993, kur 28 paditësit janë punësuar në shoqërinë “Kantieri Detar Durrës-Gdansk” sha, ndërsa detyrimi për shpërblimin e mëparshëm të vjetërsisë në punë duhet të bëhej nga METE (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sot e ndarë në Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë).

GJYKATA: BORXHET E SHTETIT I MBART PRIVATI

Por gjykata, pas disa arsyetimeve juridike mbi Kodin e Punës, çmoi se, ndryshe nga sa pretendonte Kurum-i, shoqëria e re “Kantieri Detar Durrës-Gdansk” sha, e regjistruar në regjistrin tregtar më 26 maj 1993, nuk është shkarkuar nga detyrimet që mbartte ndërmarrja shtetërore Kantieri Detar ndaj 27 punonjësve.

Siç rezulton nga praktika e themelimit të shoqërisë tregtare “Kantieri Detar Durrës-Gdansk” sha, e gjithë veprimtaria tregtare e Kantierit Detar Durrës është transferuar në formën e kontributit në kapitalin themeltar të shoqërisë së re të krijuar.

Për rrjedhojë, të gjitha borxhet dhe kreditë e Kantierit Detar Durrës do të transferoheshin te shoqëria e re, nëse ato nuk do të rezultonin të shlyera për sa kohë që në kontratën e themelimit nuk parashikohet ndryshe.

Kështu, gjykata i ngarkoi Kurum-it t’i paguajë secilit prej 27 paditësve shpërblimin e vjetërsisë që nga momenti i fillimit të punës, p.sh. nga viti 1967 e kështu me radhë, në total, sipas llogaritjeve të “Dyrrah”-ut, 7 504 188 lekë.

Për secilin paditës është bërë llogaritja më vete (për shembull, Petrit Xhakoni do të përftojë 581 250 lekë, Petrit Xhakoni 509 250 lekë, Xhaferr Karalliu 396 000 lekë, etj. shih faksimilet e përfitimeve).

Po kështu “Kurum”-i duhet të paguajë shpenzimet e gjyqit në masën 75 300 lekë, nga ku avokati Rajmond Todhe do të marrë 72 mijë lekë.

Lista e punonjësve të kantierit detar që fituan vjetërsinë

Beran Xherahi, Enver Terziu, Fatmir Rroshi, Adriatik Agalliu, Nazmi Baqiqi, Xhaferr Karalliu, Haxhi Ademi, Petraq Verori, Xhevdet Abdishaj, Lavdimir Omeri, Sotiraq Laluci, Enver Shaba, Naim Shaqiri, Agim Caka, Dhimitër Ndini, Edmond Nako, Ismail Hoti, Petrit Daçi, Ramazan Dizdari, Skënder Demiri, Petrit Dervishi, Rexhep Kadrimi, Ibrahim Rrushkulli, Belul Doraci, Artan Tirana, Petrit Xhakoni, Jetnor Sali.

HISTORI E TRISHTUAR DHE REVOLTUESE

Të vjen keq kur sheh ata njerëz që kanë derdhur djersë në 40 e ca vite në një punë të vështirë sikurse është riparimi dhe prodhimi i mjeteve lundruese, teksa disa të huaj me ndihmën e “kolaboracionistëve” vendës u mohojnë vjetërsinë në punë dhe për pasojë shpërblimin.

Për më tepër, shpirtvogëlsia shfaqet në detyrimin qesharak deri 70 mijë euro.

Kjo është njëra anë e tablosë, pasi “Kurum”-i nuk ka derdhur me qindra mijë dollarë sigurime shoqërore e shëndetësore, ndonëse ua ka mbajtur në bordero kontributin përkatës, ndërsa tatim-taksat dhe prokuroria bëjnë sehir.

Specialistë dhe punëtorët e kantierit detar të Durrësit arritën standarde ndërkombëtare në riparim, projektim dhe ndërtim anijesh peshkimi dhe transporti mallrash (ende punon trageti në liqenet e Drinit!).

Ishte e natyrshme që punëtorët e kantierit detar të ishin në pararojë të proceseve demokratike jo vetëm në Durrës por në rang kombëtar teksa vunë përpara bllokmenët.

Ata pritën me shpresa të mëdha përmbysjen e 80-përqindshit të fund-diktaturës dhe fillimin e një starti të ri kur u krijua në maj 1993  Kantieri Detar Durrës-Gdansk, sha, nisur nga emri i mirë evropian i kantierit polak.

Por edhe polakët dështuan, duke rrudhur më tej kapacitetin e kantierit të Durrësit, që ua shitën, pas 10 vjetësh aksionet turqve të “Kurum”-it, që nuk kishin përvojë në industrinë detare.

Gjithçka u shua përfundimisht, pasi blerësit e rinj e kishin mendjen të blinin territor brenda portit, për të fituar një koncesion të dyshimtë për terminal kontejnerësh, dhe të gjitha këto veprime janë bërë me bekimin e qeverive Nano dhe Berisha.

Të gjithë i mbajnë mend betejat e sindikatës, por që u braktisën nga shteti shqiptar, dhe kështu ra në tokë “e vdekur” krenaria e Shqipërisë, u lanë rrugëve punëtorët.

Ka një përkim domethënës, një ironi të historisë: më 17 maj 2014, në portin e Durrësit bllokohet një anije me cigare kontrabandë, që rreh portet e Mesdheut; nuk ka rëndësi sesi quhet aktualisht, është anija “Kavaja”, e ndërtuar në Durrës në vitin 1986 dhe vazhdon të punojë ende prej 28 vjetësh!

… Dhe është komike e tragjike njëkohësisht që drejtori i përgjithshëm i Durrës Kurum Shipping sha  shqiptari Sokol Plani, ish-inxhinier në kantier qysh në kohën e komunizmit, detyrohet t’u hajë hakun e punës kolegëve të vet. 

 “Dyrrah”-u po boton dhe një kronologji të fillimit të likuidimit përfundimtar të kantierit detar të Durrësit.

Kronologji

26 maj 1993. Numri i vendimit: 4636, GjykataTiranë; krijohet Kantieri Detar Durrës-Gdansk, sha; kohëzgjatja e shoqërisë: pa afat; kapitali prej 8 milionë USD, me objekt riparim, ndërtim dhe rindërtimi i njësive lundruese, eksporti i prodhimeve te saj, ndërtimi i konstruksioneve të çelikut, drurit dhe materialeve plastike, etj; aksionarë: Kantieri Detar Durrës me 49 %, Kantieri Detar i Riparimeve të Gdanskut “Josef Pilsudski” (Poloni) me 51 %.

22 dhjetor 1998. Numri i vendimit: 4636/2, Gjykata Tiranë; depozitimi i vendimit të asamblesë së aksionarëve për ndryshimin e kapitalit themeltar, i cili arrin vlerën 10 688 542, 20 USD.

25 prill 2003. Numri i vendimit: 4636/4, Gjykata:Tiranë; depozitimi i vendimit të asamblesë së aksionarëve për transferimin e 59 % të kuotave që zotëron shoqëria polake Stocznia Remontova në favor të shoqërisë Kurum Steel Co, ndryshimi i emrit: Durres Kurum Shipping sha.

15 korrik 2005. Numri i Vendimit: 4636/6, Gjykata: Tiranë, depozitimi i vendimit asamblesë së aksionarëve për miratimin e transferimit të paketës së aksioneve prej 15 440 aksionesh me vlere 160 570 750 lekesh tek ortaku privat Kurum Steel Co; pas kësaj aksionarë të shoqërisë janë:  Kurum Steel Co  me 71 800 aksione ose 64.68 % te aksioneve dhe  Aksionari Shtet  me 39 000 aksione ose 35.32 % te aksioneve.

11 tetor 2007. Numri i vendimit: 4636/QKR, Gjykata: Tiranë; depozitimi i vendimit të asamblesë së aksionarëve për ndryshimin e statutit të shoqërisë dhe konkretisht në shtimin e objektit të veprimtarisë në nenin 5 pika (g) i statutit si dhe neni 3 pika (g); nga veprimtari transporti ndryshon në veprimtari transporti detar, tokësor dhe hekurudhor dhe shërbime logjistike për nevojat e veta dhe të palëve të tretë; statuti i shoqërisë neni 5 pika (h) dhe kontrata e shoqërisë neni 3 pika (h) nga kryerja e shërbimeve industriale ndryshon në kryerja e shërbimeve industriale për nevojat e veta dhe të palëve të treta; statuti i shoqërisë neni 5 pika (i) dhe kontrata e shoqërisë neni 3 pika (i) nga veprimtari turistike hoteliere për punonjësit e shoqërisë ndryshon në veprimtari turistike-hoteliere për punonjësit e shoqërisë dhe për palët e treta; shtesë në statutin në nenin 5 pika (j) dhe në kontratën neni 3 pika (j): shoqëria bën joint-venture, Partneritet Publik-Privat dhe Partneritet Privat-Privat në lidhje me shërbimet plotësuese dhe aktivitete portuale.

2 shkurt 2009. Shtohet ortaku  Kurum Holding;  numri i aksioneve 71 800,00; përqindja në kapital: 64,68 %; kontributi në para: 746 641.584,86"; largohet ortaku Kurum Steel Co.

17 gusht 2009. Largohet ortaku: Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës;  ndryshojnë të dhënat për  Kurum Holding: kontributi në para ishte 746 641 584,86 dhe u bë 1 154 362 376,10; përqindja në kapital ishte 64,68 % dhe u bë 100 %.

17 gusht 2009. Vendim  i asamblesë së zakonshme të aksionarëve të shoqërisë për miratimin e lidhjes dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë Durres Kurum Shiping sha, bazuar në VKM nr. 546, datë 28 maj 2009 “Për miratimin e Masterplanit për Zhvillimin e Portit Detar të Durrësit”; autorizohet z. Sokol Plani, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë për nënshkrimin e marrëveshjes.

28 maj 2010. Agjenci detare dhe spedicionere.

13 maj 2011. Vendim për miratimin e statutit të ndryshuar; agjenci detare dhe spedicionere; agjenci doganore; magazinë doganore; aktivitet i ngarkim-shkarkimit të anijeve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/