Ukrainë, 24 maj 2014 – Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës ju drejtua sot me një fjalim vendit, në prag të zgjedhjeve presidenciale që janë nesër dhe që shihen si një moment kyç për vendin e përfshirë në krizë.
Arseniy Yatsenyuk tha se ukrainasit nuk do t’i lejojnë “banditët me mbështetje nga jashtë” t’i sabotojnë zgjedhjet. Ky koment i tij është i referohet qartë mbështetjes nga Moska të separatistëve në Ukrainën lindore.
Dje Presidenti rus Vladimir Putin u zotua se do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të së dielës në Ukrainën fqinjë, ndërkohë që shprehu shpresën se presidenti i ri i vendit do të ndalë operacionet ushtarake kundër separatistëve në lindje.
Ai i bëri komentet në Shën Peterburg, ndërkohë që separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore i zunë pritë një grupi paraushtarak ukrainas pranë kufirit me Rusinë, duke vrarë të paktën dy vullnetarë ukrainas dhe plagosur nëntë të tjerë. Trembëdhjetë trupa qeveritare u vranë nga separatistët në të njëjtën zonë të enjten, duke shkallëzuar shqetësimet për dhunën në prag të zgjedhjeve të së dielës.
Disa orë pas komenteve të zotit Putin, Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Moskës t’u bëjë presion separatistëve pro-rusë të ndalin veprimet e dhunshme për të lejuar votimet. Zëdhënësja Marie Harf, po ashtu citoi disa raste me mungesa të kutive votimit dhe marrjen e listave të votuesve në lindje të vendit, për të penguar që zgjedhjet të jenë të suksesshme.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





