Durrës, 24 maj 2014 – Një tërmet, me magnitudë 3.5 ballë i shkallës Rihter, është regjistruar në orën 15:56 të pasdites së sotme. Lëkundjet janë ndjerë në Durrës, Shijak, Fushë Krujë dhe Tiranë. Epiqendra e tërmetit ka qenë 12 km në veri-lindje të Durrësit, afër komunës së Katundit të ri dhe është regjistruar në thellësi prej 3 km.
Momentalisht nuk raportohen dëme dhe as të lënduar, por lëkundjet e tërmetit kanë shkaktuar panik tek qytetarët, pasi vijojnë prej disa ditësh.
Ndërkohë po sot, është regjistruar një tjetër tërmet, me manjitudë 2.7 ballë të shkallës Rihter. Lëkundja sizmike është regjistruar në orën 07.10 të mëngjesit dhe epiqendrën e ka pasur në detin Adriatik, 11 km në perëndim të gjirit të Lalzit.
Më 19 maj dhjetëra banesa, veçanërisht në qytetin e Cërrikut, pësuan dëmtime serioze, si pasojë e një tërmeti me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter, që u regjistrua në orën 02:58 të mëngjesit. Epiqendra e tërmetit ka qenë rreth 44 km në jug të kryeqytetit, 30 km në verilindje të Fierit dhe 5 km në lindje të Lushnjës, me një thellësi prej 10 km.
Tërmeti 5.2 ballësh u pasua nga 7 lëkundje radhazi, që vijuan edhe në ditët në vazhdim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





