Itali, 24 maj 2014– Policia dhe karabinieria italiane vetëm gjatë kësaj jave kanë shkatërruar 5 grupe keqbërësish, që merreshin me favorizimin e prostitucionit. Të gjitha grupet ishin me përbërje etnike të përzjerë, ku bënin pjesë edhe shqiptarë. Më i fundit u neutralizua në provincën e Trevizos.

Ky grup përbëhej nga 5 rumunë dhe një shqiptar. Robert Kovaçi, 23 vjeç ishte anëtari më i ri i grupit ,por edhe një nga më aktivët veçanërisht në përdorimin e dhunës kundër konkurentëve dhe klientëve të bezdisshëm. Ky grup menaxhonte 13 vende, ku prostitutat ushtronin “zanatin”. Grupi ua jepte me qera vendet e punës prostitutave me çmime që varionin nga 300-500 euro në muaj. Grupi krahas vendit të punës u siguronte edhe mbrojtje 15 prostitutave rumune-moldave të moshave nga 18-23 vjeç. Disa prej tyre, me ndihmën e anëtarëve të grupit, veçanërisht të Robertit, ushtronin prostitucion edhe në apartamente të marra me qira, duke ofruar çmime konkuruese në treg nga 30-100 euro për çdo kontakt.

Policia për të zbardhur gjithë veprimtarinë e grupit, sidomos transferimin e parave të fituara nga prostitucioni përdori metoda speciale hetimi si përgjime telefonike dhe ambientale, GPS, filmime në distancë etj. Krahas Kovaçit, që tashmë është i arrestuar u paditën për blerje sendesh të vjedhura edhe dy shqiptarë miq të tij dhe klientë me raste (okazionalë) të prostitutave.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/