Kurbin, 24 maj 2014 – Vrasja e vajzës nga nëna e saj dhe më pas, vetvrasja e kësaj të fundit tronditi opinionin publik në Kurbin. Ndërsa në orët e para pas krimit u tha se kërkesa e vajzës për të shkuar në ekskursion dhe refuzimi i së ëmës për këtë çështje krijuan situatën tragjike në familjen Keqi, tashmë duket se motivi i vrasjes dhe vetvrasjes ka qenë një tjetër. Dyshimi se vajza takonte fshehurazi një djalë e ka çuar Mimoza Keqin drejt krimit të dyfishtë.
Krimi i rëndë ndodhi mesditën e djeshme në Fushë- Kuqe të Kurbinit. Gjithçka ka ndodhur Mimoza pasi e ka gjetur pas shtëpisë vajzën dhe ka dyshuar se ajo kishte takuar dikë. Familja e Mark Keqit njihej në atë zonë si një nga familjet më të respektuara dhe ngjarja e djeshme tronditi thellë banorët. Adoleshentja Gesara Keqi ishte nxënëse në shkollën 9-vjeçare të fshatit Fushë Kuqe të Kurbinit, por ditën e djeshme ajo nuk kishte shkuar në shkollë, me arsyetimin se ishte e sëmurë. Ajo kishte qëndruar vetëm në shtëpi, kur i ati ishte në punë, ndërsa e ëma kishte dalë për të ruajtur bagëtitë, veprim që e kryente çdo ditë. Ka qenë ora 12:30 kur Mimoza Keqi është kthyer në banesë duke e gjetur vajzën te një dhomë e vjetër pas shtëpisë, ndërsa ka menduar se me të ka qenë dhe një person tjetër.
Ky i fundit dyshohet se me të dëgjuar hapat e të zonjës së shtëpisë është larguar me shpejtësi. Nisur nga rrethanat e krimit, policia dyshon se e gjithë kjo është parë nga gruaja, e cila ka thirrur më pas vajzën e saj për të dhënë shpjegime. Policia bëri të ditur se në këtë moment ka pasur një debat të ashpër midis nënës dhe të bijës. Ato janë futur të dyja në banesë duke debatuar për rreth 20 minuta, ku fillimisht nëna e ka dhunuar fizikisht vajzën, më pas ka qëlluar ndaj saj dhe më pas ka vendosur t’i jepte fund edhe jetës së saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





