Kosovë, 20 maj 2014 – Në Kosovë, autoritetet thanë se tre persona të paraburgosur, janë arratisur nga spitali i Prishtinës, ku po trajtoheshin nën përkujdesjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Të tre ata janë pjesë e grupit prej 15 vetash të akuzuar nën dyshimet për vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve dhe vrasje, të cilat pretendohet se mund të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likoc të komunës së Skenderajt në vitin 1998.
Në mesin e të akuzuarve janë ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës Sulltani, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë dhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së parë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zyrtarët e burgjeve thanë se të arratisurit janë Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari dhe se ky veprim mund të jetë bërë për shkak të mospajtimit të tyre me vendimin e një gjykatësi të EULEX-it për transferimin e tyre në Qendrën e Paraburgimit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Zyrtarët e EULEX-it thanë se vendimi kishte të bënte vetëm me ditët kur do të zhvillohej procesi gjyqësor kundër tyre në Gjykatën Themelore që ndodhet në veriun e Mitrovicës.
Një vendim i tillë ka nxitur reagime organizatave të dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thonë se vendimi për transferim në veri të Mitrovicës ishte i padrejtë dhe dëshmi e siç thuhet zbatimit të standardeve të dyfishta nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





