20 maj 2014– Ngjarjet me te rendesishme historike te regjistruara ne vite te ndryshme ne date 20 maj:

325– Mblidhet Këshilli ikumenik i krishterë, në Nikea (Azi e vogël). Historiani Eusebius, i pranishëm në këtë takim, e quajti atë 'ikumenik' që do të thotë 'mbarë-botëror' dhe në atë kohë nënkuptonte Perandorinë Romake. Takimi u zhvillua nën kujdesin e perandorit Konstandin. Ai ftoi 1800 peshkopët e kishës së krishterë (rreth 1000 në lindje dhe 800 në perëndim), por vetëm një numër i vogël, rreth 300 u paraqitën, 5 prej tyre ishin nga Iliria. Sipas Eusebius, në librin 'Historia e Kishës…”, Konstandini (me prejardhje ilire) u siguroi peshkopëve një sallë të madhe e dinjitoze për mbajtjen e kuvendit; dhe vetë bëri një hyrje ceremoniale, nga fillimi qershorit, duke u ulur diku nga fundi i sallës; roli i tij ishte mbarëvajtja e kuvendit, dhe u zotua të përdorte autoritetin e tij për zbatimin e çdo vendimi që do të merrnin peshkopët. Në Këshillin e Nikeas u diskutuan shumë gjëra, që nga natyra e Jezu Krishtit e deri tek njësimi i rregullave kishtare, përfshi caktimin e ditës së pashkëve, duke e shkëputur atë nga pashkët hebraike, si dhe vendimi që lutjet e së dielës që të bëheshin në këmbë dhe jo në gjunjë si deri atëherë.  Në përfundim, Këshilli i Nikesë miratoi kanunoren e kishës. Disa peshkopë të lindjes nuk ranë dakord dhe Këshilli i përjashtoi, ndërsa perandori Konstandin i dëboi duke i dërguar në rajone të thella të Ilirisë. Konstandi i madh vdiq më 337; krishtërimi do të bëhej fe zyrtare e perandorisë romake në vitin 380, ndërsa Konstandini do të shpallej Shën Konstandin, Mbrojtësi i Krishtërimit.

1310– Prodhohen këpucët e para për të dy këmbët, veças, të djathtë dhe të majtë. Deri atëherë, këpucët ishin njësoj dhe njerëzit i vishnin ato një ditë në këmbën e majtë e ditën tjetër në këmbën e djathte, që të konsumoheshin të dyja njëherësh. Mendohet se këpucët e para janë ato me lëkurë kafshe, që nga koha e akullnajave kur njerëzit thjesht mbështilnin këmbët për t’I mbrojtur nga të ftohtit. Sandalet e para mendohet të jenë përdorur në Lindjen e Mesme për mbrojtjen e tabanit të këmbëve nga rëra e nxehtë. Arkeologët kanë zbuluar këpucë që datojnë nga vitet 8000 pes, në atë që tani quhet shteti Mizuri (SHBA). Në Evropë, këpucë të ngjashme me këpucët e sotme ishin në modë nga shekulli XI deri XV. Në shekullin 17-të këpucët prodhoheshin vetëm me ngjyrë të kuqe dhe lartësia e takave ishte e ndryshme, shpesh në varësi të shkallës shoqërore. Atletet e para janë prodhuar për herë të parë në Amerikë në vitin 1916. Ndërsa çizmet e para për femra ishin ato të projektuara për mbretëreshën britanike Viktoria në vitin 1840. Në kohët biblike një sandale dhurohej në shenjë zotimi. Në mesjetë një prind ia kalonte autoritetin e tij mbi vajzën burrit të saj në një ceremoni të dhënies së këpucës –  ati i nuses ia jepte dhëndrit këpucën dhe dhëndri ia dorëzonte nuses e cila e mbante për të treguar se tani e tutje ajo i përkiste burrit. Sot në SHBA këpucë miniature ose reale lidhet në parakolpin e makinës së çiftit të sapomartuar, si kujtesë e ditëve kur një prind i dha dhëndrit një nga këpucët e vajzës së tij si simbol i ndërrimit të kujdestarit. Në Kinë, një nga këpucë e nuses hidhet mbi çati për të siguruar lumturi për çiftin e sapomartuar. Në Hungari dhëndëri ngre një dolli për nusen e tij duke përdorur këpucën e saj në vend të gotës. Edhe shqiptarët e kanë një thënie të lashtë ‘e pi rakinë me opingë’, për njeriun që pi shumë. Një muze këpucësh ekziston në Toronto, Kanada, i vetmi muze i këpucëve në Amerikën e Veriut, ndoshta edhe në botë. Muzeu përmban këpucë dhe sandale që përshkojnë një periudhë prej 4.500 vjetësh. 

1498– Exploreruesi portuguez Vasko da Gama arrin në Kalkutë, Indi. 

1506– Në Spanjë vdiq Kristofor Kolombi, 55 vjeç, nismëtari i kolonizimit të Hemisferës Perëndimore, pa e ditur se kishte zbuluar një Botë të re.

1521 – Ignatius Loyola (1491 – 1556) plagoset rëndë nga një predhë topi në betejën e Pamplonas. Gjatë javëve të shërimit nga plagët, Layola, luftëtar spanjoll, i mërzitur nga qëndrimi shtrirë, kërkoi disa romane për të kaluar kohën. Në kështjellë, nuk kishte asnjë libër, përveç një kopje e Jetës së Krishtit dhe një libër mbi shenjtorët. Injaci filloi t’i lexonte, dhe më shumë lexoi, aq më shumë filloi të imitonte shenjtorët dhe vlerat e tyre. Pas kësaj Layola u dorëzua prift, murg dhe themeloi Shoqerinë Jezuite. Në vitin 1622 ai u kanonizua duke marre emrin Shën Injatus. 

1609– Sonetet e Shekspirit botohen për herë të parë në Londër nga Thomas Thorpe. Sonetet hapen me një përkushtim për " WH". Identiteti i këtij personi mbetet mister dhe, që nga shekulli i 19-të, ka nxitur shumë spekulime. Një gabim i thjeshtë për inicialet e Shekspirit, "WS” ose 'WSH", kjo është sugjeruar nga filozofi Bertrand Russell në kujtimet e tij. Sonetet (gjithësej 154) njihen edhe për ndikimin; nuk ka gjuhë të përhapura ose jo, që këto sonete nuk janë përkthyer, duke përfshirë gjuhët gjermanisht, frëngjisht, shqip, arabisht, hebraisht, esperanto, madje edhe në gjuhën e sotme angleze. 

1799– Në Paris, lindi Honore de Balzak – romancier francez dhe dramaturg. Opusi i tij letrar është sekuencë tregimesh e romanesh të njohur me titulin e përgjithshëm Komedia Njerezore, panoramë e jetës franceze në vitet pas rënies së Napoleon Bonopartit, më 1815. Balzak ishte monarkist shumë konservator; në shumë mënyra, ai është antipod i republikanizmit demokratik të shkrimtarit Viktor Hugo. Megjithatë, trajtimi i mprehtë i realitetit dhe çështjeve të kohës fitoi respektin  e shumë socialistëve dhe marksistëve. Engelsi thoshte se Balzaku ishte shkrimtari i tij e preferuar, ndërsa Marksi u referohej vazhdimisht romaneve të tij.

1835– Otto shpallet mbreti i parë i Greqisë moderne. Pas vrasjes së Ioan Kapodistrias (presidenti i parë i Greqisë), tre Fuqitë Mbrojtëse; Britania, Franca dhe Rusia, zgjodhën 17 – vjeçarin princ Otto, djalin e dytë të Mbretit Ludvig të Bavarisë, si mbret të Greqisë. Kjo ishte zgjedhja e tyre e dytë, i pari, Leopold i Sakse-Koburg, e kishte refuzuar fronin. 

1867– Parlamenti britanik hedh poshtë projekt-ligjin e John Stuart Mills mbi të drejtën e grave për të votuar. Mills njihet si filozofi më me ndikim i shekullin XIX. Ai krijoi konceptit se liria e individit është më e rëndësishme se liria shtetit për ta kufzuar atë. 

1873 – Levi Strauss dhe Jacob Davis regjistrojnë patentën për pantallonet blu xhins.

1900– Lojrat e dyta Olimpike moderne hapen në Paris (zgjasin 5 muaj).

1926– Thomas Edison thotë se amerikanët preferojnë më shumë filmat e heshtur sesa filmat me zë. 

1927– Arabia Saudite shpallet e pavarur nga Britania e Madhe (Traktati i Jeddas).

1944– Partia Komuniste e SHBA-së shpërbëhet, duke u bërë thirrje anëtarëve të saj të përkushtohen që Amerika të dale fituese në luftën e dytë botërore.  

1985– Izraeli shkëmben 1100 të burgosur arabe për tre ushtarë izraelitë.

1985– Shtetet e Bashkuara fillojnë transmetimet në Kubë nëpërmjet stacionit Radio Marti, në gjuhën spanjolle.

1989– Demonstrata për demokraci; Kina shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Pekin.

1991 –Moskë; Sovjeti Suprem miraton ligjin që lejon shtetasit sovjetikë të udhëtojnë jashtë vendit.

2002– Pavarësia e Timorit Lindor njihet nga Portugalia, duke i dhënë fund zyrtarisht 23 vjetëve të sundimit indonezian dhe 3 vjetëve të administratës së përkohshme të OKB-së.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/