Tiranë, 20 maj 2014 – Opozita do të institucionalizojë luftën kundër drogës duke krijuar "Aleancën Kombëtare Kundër Drogës". Deklarata u bë nga kreu i PD-së Lulzim Basha pas takimit me aleatët. Basha e cilësoi situatën të paprecedentë dhe akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjës për trafikun e drogës. 

“Vendosëm me aleatët për të bashkëndarë axhendën kundër kartelit të drogës. Kemi konkluduar për ngritje dhe institucionalizimin të një aleance kombëtare kundër drogës. Situata sa vjen e rëndohet. Sasitë e drogës që kapen ditë për ditë shtohen.”– u shpreh Basha.
 
Kreu i PD-së theksoi se nevojitet reflektim nga qeveria, por sipas tij kryeministri Rama po bëhet mburojë e krimit.

“Kjo situatë kërkon një reflektim të menjëhershëm dhe marrjen e përgjegjësive. Kryeministri Rama dhe kupola nuk po tregojnë asnjë përgjegjësi por vazhdojnë të veprojnë si mburojë e krimit përmes fshehjes. Nuk ka reflektim, nuk ka marrje përgjegjësi. Edi Rama shpenzon kohen duke akuzuar opozitën, duke vjellë vrer kundër opozitës. Aksioni ynë opozitar do vazhdojë fuqishëm dhe në emër të koalicionit opozitar i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë ti bashkohen aleancës kombëtare kundër drogës. Ti thonë jo kartelit të drogës dhe ta venë përgjegjësin Edi Rama para përgjegjësisë.”– u shpreh Basha. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/